Gjykata e Posaçme e Apelit ka lënë në fuqi dënimin e dhënë më herët nga Gjykata e Posaçme, e cila ka dënuar me 3 vite e 6 muaj burg Gentian Goskovën dhe me 2 vite 4 muaj burg Ervis Kosovën.
Goskova i njohur edhe si “Reqi i Korçës” dhe Kosova janë shpallur fajtor për veprën penale “Korrupsion aktiv i dëshmitarit, i ekspertit ose përkthyesit”, kryer në bashkëpunim. Të dy akuzohen se kanë tentuar të manipulojnë dëshminë e të penduarit të drejtësisë, Luftar Reçi në procesin ndaj Emiljano Shullazit dhe disa personazheve të tjera të njohura të botës së krimit të përfshirë në një sërë ngjarjesh të rënda kriminale.
Sipas pretendimeve të ngritura nga SPAK gjatë këtij procesi, Goskova dhe Kosova mbanin kontakte me një punonjës të burgut të Drenovës në Korçë, aty ku mbahet edhe bashkëpunëtori i drejtësisë dhe nëpërmjet të cilit janë përpjekur për të manipuluar dhe siguruar deklarime të rreme nga Reçi.
Më herët është bërë me dije se ka pasur një plan për eliminimin fizik të Reçit. Sipas hetimeve, nëse Reçi nuk tërhiqte dëshminë kundrejt pagesës, atëherë ai do të helmohej nga gardianët e burgut nëpërmjet ushqimit.
Eliminimi i Reçit sipas SPAK do të kryhej me agjentë helmues që do të futeshin nga jashtë burgut nëpërmjet një polici, kundrejt shpërblimit prej 100 mijë Eurosh. Plan ky që dështoi pasi polici që do të përfshihej në të u bë bashkëpunëtor i drejtësisë.
Luftar Reçi është një nga 7 të pandehurit e SPAK të cilët nën operacionin “Asgjë nuk harrohet” janë dërguar në gjykatë si autorë të grupeve kriminale që ekzekutuan në 2005 Klodian Saliun, Vajdin Lamen dhe shtetasin Artan Arsi.
/a.r