Pesë ministra të rinj të kabinetit qeveritar u betuan sot para Presidentit të Republikës, Bajram Begaj.
Një ditë më parë Kuvendi miratoi emërimin e ministrave të rinj të propozuar nga kryeministri Edi Rama, pasi më herët emrat e tyre u dekretuan nga Presidenti.
Ditën e sotme u betua Albana Koçiu si ministre e Shëndetit dhe Mirëqenies Sociale.
Ogerta Manastirliu u betua si ministre e Arsimit dhe Sportit.
Igli Hasani u betua si ministër për Europën dhe Punët e Jashtme.
Anila Denaj u betua si ministre e Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural.
Arbjan Mazniku u betua si ministër i Pushtetit Vendor.
Ndërkohë ministrat Delina Ibrahimaj dhe Ervin Mete nuk janë betuar ende, kjo për shkak të një ngërçi procedurial.
Shpjegimin për këtë ngërç e ka dhënë Eduard Shalsi, i cili në mbledhjen e Komisionit të Ekonomisë, ka sqaruar se:
“Si rregull Kuvendi para se të miratojë detyrën e Ervin Metes si ministër i Financave, duhet të miratojë dorëheqjen e tij nga Bordi i Autoritetit të Mbikëqyrjes Financiare dhe posti i Drejtuesit të këtij institucioni. Pra votohet vendimi për lirimin e zotit Ervin Mete”, tha Shalsi dje.
Votimi i fshehtë për largimin e Ervin Metes nga AMF ka marrë 95 vota pro, 1 votë abstenim dhe 5 vota kundër.
Deri në seancën e radhës, Delina Ibrahimaj do të qëndrojë në postin e ministres së Financave në detyrë, ndërkohë që s’ka marrë ende postin e Edona Bilalit, e cila u shkarkua nga posti i ministres për Mbrojtjen e Sipërmarrjes.
/a.r