Këngëtarja Enca është arrestuar nga Policia, pasi kultivoi bimë kanabis në ballkonin e banesës së saj në Tiranë.
Gjatë kontrollit në banesën e 27-vjeçares, në ballkon, shërbimet e Policisë gjetën dhe sekuestruan bimë të dyshuara narkotike kanabis, të kultivuara në vazo.
Pas arrestimit, këngëtarja ka thënë se është përdoruese dhe e ka për përdorim vetjak.
Njoftimi i Policisë Tiranë
Finalizohet operacioni policor i koduar “Balcony”, për goditjen e veprimtarisë kriminale të kultivimit të bimëve narkotike.
Kishte kultivuar bimë narkotike, në vazo, në ballkonin e banesës së saj, vihet në pranga 27-vjeçarja.
Sekuestrohen bimët narkotike.
Shërbimet e Komisariatit të Policisë Nr. 1, në vijim të punës për goditjen e paligjshmërisë, pas informacioneve të siguruara nga inteligjenca policore, se një shtetase kishte kultivuar bimë narkotike, në ballkonin e banesës së saj, kanë organizuar dhe finalizuar operacionin policor të koduar “Balcony”.
Si rezultat i këtij operacioni u vu në pranga shtetasja Ruenca Haxhiaj, 27 vjeçe, banuese në Lundër.
Gjatë kontrollit në banesën e 27-vjeçares, në ballkon, shërbimet e Policisë gjetën dhe sekuestruan në cilësinë e provës materiale, bimë të dyshuara narkotike kanabis, të kultivuara në vazo.
Materialet procedurale i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Tiranë, për veprime të mëtejshme.
/a.r