Moska ka konfirmuar takimin e planifikuar midis presidentit rus, Vladimir Putin dhe liderit të Koresë së Veriut, Kim Jong Un në Vladivostok, tha sot Kremlini në një deklaratë.
“Kim do të kryejë një vizitë zyrtare në Rusi në ditët në vijim dhe do të takohet me Putinin me ftesë të liderit rus”, tha Kremlini në faqen e tij zyrtare.
“The New York Times” njoftoi takimin, javën e kaluar duke thënë se Kim ka planifikuar të negociojë furnizimet e armëve me Putinin.
Kim shumë rrallë largohet nga Koreja e Veriut dhe kur e bën, ai udhëton me tren të blinduar.
“Moska është e shqetësuar për sigurimin e furnizimeve me armë dhe municione për luftën e saj kundër Ukrainës”, raportoi gazeta, duke cituar zyrtarë të paidentifikuar nga SHBA-ja dhe qeveritë aleate.
Sipas “The New York Times”, Putini shpreson për furnizimin e vendeve me predha artilerie dhe armë antitanke të Koresë së Veriut, ndërsa Kim thuhet se shpreson për teknologji të avancuar për satelitët dhe nëndetëset me energji bërthamore, si dhe ndihma ushqimore.
Gjithashtu, vizita do të zhvillohet gjatë një forumi ekonomik në Vladivostok, në bregun lindor të Rusisë, i planifikuar për 10-13 shtator.
“The Washington Post” raportoi gjithashtu për takimin e planifikuar.
/a.r