Ministrja e Kulturës, Elva Margariti, ka dhënë një intervistë të gjatë për revistën Bordo, një pjes të së cilës po e botojmë më poshte.
Elva, mama me kohë të plotë apo me kohë të pjesshme, sa kohë kaloni me vajzën tuaj dhe familjen?
Një mama nuk mund të jetë kurrë me kohë të pjesshme, sepse edhe kur nuk është fizikisht me mendje është gjithnjë pranë fëmijëve. Kemi një raport shumë të veçantë dhe ndonjëherë ia lejoj që të “ndryshojmë” rolet. Pavarësisht orëve të gjata në zyrë apo kantiere, përpiqem që të rikuperoj, duke shfrytëzuar çdo moment të mundshëm për të qëndruar me vajzën time, për të ndarë aktivitetet dhe shqetësimet e ditës, për t’u marrë me detyrat e shkollës apo për të bërë gjërat që ajo ka më shumë pasion, siç janë aktivitetet në natyrë, ecjet e gjata, ngjitjet, por edhe realizimin e handcrafte-ve, që nxisin fantazinë dhe kreativitetin.
Jam shumë kurioz të di, a gatuan një ministre? Nëse po, çfarë?
Po, patjetër. Gatimi, por edhe të mbledhurit bashkë rreth një tavoline të madhe me familjarë apo miq, është një nga ato rituale që më ndihmojnë për “rikarikim” energjish. Edhe më herët ishin të shpeshta rastet kur ftoja miq e të afërt për të provuar një recetë të re, që mund të ishte një eksperiment apo një recetë gjysheje e sjellë në formë “moderne”. Por çka adhuroj të gatuaj janë ëmbëlsirat. Aty derdh gjithë fantazinë time. Ndoshta sepse ëmbëlsirat në vetvete asociohen me festën, me gëzimin.
Di që keni një raport të veçantë me Italinë, çfarë ju mungon më shumë?
Që nga momenti që jeni bërë ministre, çfarë keni sakrifikuar në stilin e jetesës?
Më shumë orë në zyrë, më pak udhëtime si një turiste e thjeshtë, duke shijuar rrugicat e qyteteve me zhurmën dhe aromat karakteristike; një stil më i përmbajtur në veshje, më pak aktivitet fizik dhe orë të kaluara me shoqërinë.
Çfarë muzike dëgjoni kur jeni vetëm?
Muzika vazhdon të jetë një konstante e qëndrueshme në jetën time, që nuk e kam “sakrifikuar” për hir të detyrës, dhe që më pëlqen ta shijoj vetëm dhe në shoqëri. Jam e hapur ndaj zhanreve të reja, dëgjoj shumë lounge chill, dance electronic, sidomos gjatë ecjeve nga liqeni apo në palestër, nuk mungon asnjëherë në playlistë Oceansvs Orientalis, pa harruar Dua Lipën që e këndoj bashkë me vajzën time. Por nuk mund ta mohoj që shpesh ndihem nostalgjike edhe për muzikën e mirë, që dëgjonim në vitet e gjimnazit. Muzikë rock me zë të lartë.
Hera e fundit kur keni pirë një gotë me shoqet e gjimnazit apo fëmijërisë?
Një nga traditat më të mira që kemi ruajtur, pavarësisht karrierave, është takimi me shokët e gjimnazit. Vazhdoj të mbaj lidhje të ngushta me ta, madje disa syresh janë edhe pjesë e politikës aktive shqiptare apo artit. Dhe, me gjithë ngarkesat e së përditshmes, e gjejmë kohën për të pirë një gotë së bashku dhe për të kujtuar kohën kur ishim të shpenguar. Kushti i vetëm është që të mos flasim për punën. Hera më e fundit që jemi takuar ka qenë në muajin korrik.
Për çfarë do të donit të mbaheshit mend në fund, si Elva ministre apo Elva arkitekte?
Posti i ministrit është fare i përkohshëm. Shumë kanë qenë e do të vijnë pas meje. Ndërsa si arkitekt do të duhej të jesh një Gaudi, Lloyd apo Hadid që të kujtohesh si i tillë. Nëse me “fund” nënkuptojmë largimin nga kjo botë, do të doja të kujtohesha thjesht si një njeri i mirë, dhe për raportet dhe kujtimet personale që kam lënë te njerëzit. Kjo është ajo që lëmë vërtet pas dhe që, nuk e di, ndoshta e marrim dhe me vete diku, përtej…/m.j