Ish-presidenti Bamir Topi, i ftuar në studionin e emisionit “Kjo Javë”, në News24, foli për arrestimet e bujshme nga SPAK.
Topi tha se SPAK po godet emrat e paprekshëm, por në mënyrë paradoksale, çdo skandal i mazhorancës, pasohet me fitore më të thellë në numër.
Më tej ai tha se SPAK ka fituar besueshmërinë për shkak se po godet pa seleksionuar.
“Këtu po ndodhin dy procese shumë interesante. Një proces është i karakterit juridik dhe padyshim që flamuri në këtë atmosferë e merr SPAK, që pa seleksionuar shkon dhe godet. Nëse SPAK godet një kryebashkiak dhe në mënyrë të detyruar shkon në zgjedhje të parakohshme, ndodh ajo që nuk ndodh në asnjë vend tjetër. Këtu jo vetëm që merr humbje, por fiton. Ky është një lloj paradoksi që duhet të na shqetësojë. Si ka mundësi që pas çdo skandali, del më i fituar në numër?
Ne kemi nevojë të dimë dhe të dalim nga kjo pikëpamje. Nga çdo skandal PS fiton më shumë. Kjo ‘përgjegjësia është personale’ le t’ia thotë atyre që vihen rresht si dele për të votuar. Procesi që të çon në zgjedhje dhe në përfundimin zgjedhjeve të çon në monizëm. Ka edhe një element të madhe korrupsioni në politikë. Unë kam dëgjuar shumë komente lidhur edhe me politikë në dyfishimit të rrogave të deputetëve. Këtu rritet standardi për opozitën. Kjo e ka bërë që situata që ndodh në opozitë të jetë e lidhur edhe me këtë. Me lëvizje të pamotivuara politikisht, deformim karakteri dhe në fund fare, ju të mediave që moderoni jeni të habitur se çfarë po ndodh. Kemi një deformim politik.
Së pari duhet kuptuar nëse ka një institucion që sot ka rritur besueshmërinë, dhe ky është SPAK. Pse? Sepse po shohim edhe emra që më parë konsideroheshin si të paprekshëm. Janë në presion ata? Padyshim që po, pasi politika ushtron presion. Është një institucion që të gjithë e dimë se ka një përkrahje që është ajo e sensit moral dhe linjës së partneritetit. SPAK është një krijesë që do rritet sepse sfida është shumë e fortë.”, u shpreh Topi./m.j