Pas zjarreve që shkrumbuan vendin, Greqia është goditur nga stuhi të shumta, të cilat kanë shkaktuar përmbytje në disa qytete. Raportohet se për shkak të pëmbytjeve kanë humbur jetën 7 persona dhe shumë persona të tjerë janë shpallur të humbur.
Thesalia dhe veçanërisht Volosi, Kardita, Trikala dhe Larisa po përjetojnë një fatkeqësi të paprecedentë me ekipet e shpëtimit që nuk arrijnë të aksesojnë shumë fshatra, ndërsa banorët mbeten të bllokuar.
Në një intervistë për Report Tv Edmond Guri tregon se janë mbi 15 mijë shqiptarë që jetojnë në këtë zonë të prekur nga përmbytjet, por ky numër mund të rritet nëse përfshihen dhe shqiptarët të cilët ndodhen për punë sezonale apo të paregjistruar.
“Dhjetra fshatra janë të përmbytura, e niveli i ujit ka arritur në 2 metra. Dhjetra qytetarë janë prekur” informon Guri për Report Tv.
Mediat greke raportuan se ekziston mundësia e vërshimit të lumit Pinio edhe në qytetin e Larisës. Bashkitë e dy qyteteve u kanë kërkuar banorëve të evakuohen. Autoritetet vendosën mbylljen e urës Giannouli në Larisa.
Ndërkohë policia greke raportoi sot për një tjetër viktimë nga stuhia ‘Daniel’ në Thesali duke e çuar në 7 numrin e viktimave nga përmbytjet.
Kryeministrit të Greqisë, Kyriakos Mitsotakis iu desht të udhëtonte me helikopter për të zbritur në zonat e përmbytura ku i premtoi se qeveria do të bëjë “çfarëdo që është e nevojshme” për banorët që po përballen me këto fatkeqësi natyrore.
“Do të mobilizoj të gjitha burimet evropiane në dispozicion që të kemi mbështetje shtesë, për të mbuluar para së gjithash nevojat e kompensimit të familjeve. Paratë do t’i gjejmë, qoftë nëpër burime kombëtare apo europiane”, tha Mitsotakis.
/f.s