Disa ditë pasi media denoncoi një masakër mjedisore në zonën turistike të Ksamilit, është arrestuar inspektori i zonës së Butrintit Çane ALiaj dhe specialisti i Ksamilit pranë ARZM Vlorë, Sokol Xhyheri.
Ndërkohë, për veprën penale “Shpërdorim i detyrës janë vënë nën hetim drejtori i ARZM Vlorë Nexhip Hysolakoj, inspektori i Inspektoriatit Shtetëror të Mjedisit, Pyjeve, Ujërave dhe Turizmit, Nertil Cumani dhe inspektori i IVMT-së, Besian Koçi.
Duke shpërdoruar detyrën, ata kanë lejuar aktivitetet e paligjshme në zonën e Pemës së Thatë dhe në Butrint, në dëm të mjedisit.
Kamera e Fiks Fare filmoi inertet e hedhura në vendin e quajtur Pallavraq. Dikur, zona kishte qenë liqenore, ndërsa sot me tonelata me inerte. Nga një krahasim i hartave të vitit 2010 me atë aktuale, rezulton se vendi ku ishin hedhur këto inerte, disa muaj më parë ka qenë zonë ujore, bregu i Liqenit të Butrintit. Ndërsa sot, gurë të mëdhenj, mbetje të liqenit, dhera janë hedhur atje.
Ndërkohë, sikur të mos mjaftonte hedhja e inerteve, autorët kanë tentuar që këtë vend ta rrethonin. Ata kanë filluar një mur me gur, për të rrethuar të gjithë bregun e Liqenit, për ta shndërruar më pas në ndonjë bar, restorant, hotel apo resort.
Pas këtij konstatimi, gazetarët e emisionit investigativ shkuan te Njësia Administrative Ksamil. Administratorja e re u thotë se “s’kam dijeni”. Më pas, administratorja lajmëroi Policinë Bashkiake. Pas disa minutash, te Njësia shkoi një patrullë e kësaj policie, të cilën gazetarët e shoqëruan te vendi që ishin hedhur inertet.
Bashkë me policinë bashkiake, në atë vend shkon edhe një Inspektor i Mbrojtjes së Territorit (IMT-ja) nga Bashkia e Sarandës. Inspektori i IMT-së thotë se ka dy muaj në punë dhe ka bërë një akt konstatimi në fillim të muajit gusht 2023 për ngritjen e murit. Por, gjithmonë pa autor! Gazetarët e pyesin se si ka mundësi që janë hedhur një sasi e madhe inertesh në Liqen dhe askush s’i ka parë?! Madje, referimet apo konstatimet gjithmonë kanë qenë pa autor. Inspektori përgjigjet se po bën disa javë në punë dhe ato janë hedhur më përpara. Nuk pranon të japë intervistë aty, por pohon se do të flasë shefi te Bashkia e Sarandës./m.j