Ndërsa propozimet e reja për ndryshimet në kabinet të kryeministrit Rama po presin në Presidencë për firmën e Kreut të Shtetit, Ministrat e shkarkuar morën pjesë në mbledhjen e fundit të qeverisë këtë të enjte.
Qëndrimin më të shkurtër në këtë takim e kishte Olta Xhaçka, që hyri e doli nga Kryeministria në rreth 10 minuta, mjaftueshëm sa për të hedhur një firmë. Në mbledhjen e Asamblesë, shefi i mazhorancës e largoi nga drejtimi i Ministrisë së Jashtme, duke e zëvendësuar me ish-ambasadorin e Shqipërisë në OSBE Igli Hasani. Me gjasë kjo ishte edhe hera e fundit për Frida Krifcën në Kryeministri, pas shkarkimit nga detyra si ministre e Bujqësisë, post që mbante prej dy vitesh. Të njëjtin fat do të ketë edhe Edona Bilali, ish-Ministrja e Shtetit pa portofol.
Kur propozimet e kryeministrit Rama shkuan në Presidencë pasditen e të mërkurës, kreu i Shtetit Bajram Begaj nuk ndodhej në zyrë për shkak të një vizite zyrtare në Kazakistan. Rikthimi i tij në zyrë të shtunën shënon edhe mundësinë e parë për të firmosur dekretet, nëse nuk do t’i japë vetes më shumë kohë për verifikime.
Nga ana tjetër mazhoranca duhet të tregohet e gatshme për të votuar ndryshimet në qeveri në një seancë të posaçme në fillim të javës së ardhshme, sapo Rama të marrë OK-in nga Begaj, me qëllim që Shqipëria të mos prezantohet me një ministre të Jashtme të shkarkuar, në punimet e Asamblesë së OKB-së, më 14 shtator./f.s