Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s, Jens Stoltenberg në një konferencë me presidenten Vjosa Osmani ka deklaruar se i mirëpret hapat e fundit të Kosovës që i ka marrë për të çtensionuar situatën në veri të Kosovës. Ai theksoi se e mbështet edhe procesin e dialogut Kosovë-Serbi.
“Ka rëndësi prezenca e KFOR-it në Kosovë. Trupat tanë të KFOR-it janë sulmuar këtë vit duke lënë 93 prej tyre të lënduar, disa në masë serioze, kjo është plotësisht e papranueshme, stabiliteti i rajonit dhe siguria e trupave të KFOR-it varen nga të gjitha palët që i respektojnë betimet ekzistuese.
NATO-ja e konsideron këtë të ketë rëndësinë më të lartë dhe kërkon këto të respektohen. Në përputhje me zotimet e Prishtinës nga viti 2013, çdo lloj zbarkimi i FSK-së kërkon pajtimin e KFOR-it dhe presim konsultime me kohë dhe kuptimplotë në çfarëdo lloj zbarkimi që mund të ndikojë në siguri.
Për situatën e fundit në veri të Kosovës NATO ka zbarkuar qindra trupa dhe vazhdojmë ta monitorojmë situatën për të përmbushur mandatin tonë të OKB-së, për të ruajtur një mjedis të rregullt dhe liri të lëvizjes të të gjitha komuniteteve në Kosovë”, ka thënë Stoltenberg.
Stoltenberg ka deklaruar se mirëpret takimin Kurti-Vuçiç në Bruksel javën e ardhshme, ndërsa ka theksuar se ky takim “është mundësi për Kosovën që të demonstrojë se është palë e përgjegjshme që vepron në mënyrë konstruktive në dobi të sigurisë euroatlantike”.
Ai ka inkurajuar Kosovën dhe Serbinë që t’u përmbahen zotimeve të tyre.
“Ne mirëpresim hapat e fundit të Prishtinës që janë ndërmarrë për të ulur tensionet, përfshirë zvogëlimin e numrit të forcave dhe planet për zgjedhje. Është esenciale të anashkalohen çfarëdo lloj eskalimi të mëtejme. I inkurajojmë të dyja palët të veprojnë sipas zotimeve të tyre”, tha Stoltenberg.
Osmani në krah të Stoltenberg: E qartë kush janë partnerët, Serbia të bëjë detyrat
Presidentja e Kosovës Vjosa Osmani zhvilloi këtë të enjte një takim “kokë më kokë” me shefin e NATO-s Jens Stoltenberg. Gjatë konferencës së përbashkët për shtyp, Osmani theksoi se Kosova është në përputhje të plotë me çdo vendim të politikës së jashtme dhe sigurisë të NATO-s dhe BE-së.
Ajo nënvizoi se është Serbia ajo e cila merr mbështetje nga Bashkimi Evropian, por politika e jashtme e saj nuk përputhet me Perëndimin.
“Kosova është në përputhje të plotë me çdo vendim të politikës së jashtme dhe sigurisë me BE-në e NATO-n. Besoj që është shumë e qartë se kush janë partnerët e komunitetit euro-atlantik në rajonin tonë, por jemi të vetëdijshëm që përafrimi i Serbisë me Perëndimin është në interes të të gjithë neve”, tha Osmani.
Gjithashtu Osmani kërkoi që pala serbe të bëjë detyrat e shtëpisë përpara se të marrë fondet e mbështetjes së BE-së.
“Serbia duhet të bëjë së paku disa detyra shtëpie, përpara se ta merr atë mbështetje që po e merr aktualisht sepse fondet e BE-së duhet të shkojnë krah për krah me vlerat e BE-së dhe kjo nuk po ndodh aktualisht”, tha ajo./m.j