Një 60-vjeçar është vënë në pranga, pasi kishte mbjellë kanabis në një sipërfaqe toke të mbjellë me misër. Në pranga ka rënë B. G., 60 vjeç, banues në fshatin Ngjeqar, Roskovec.
Mësohet se ai është pikasur teksa ujiste kanabisin që kishte kultivuar nëpër tokën e tij, të mbjellë me misër, me qëllim fshehjen e tyre.
“Kapet në flagrancë në fshatin Ngjeqar, teksa kujdesej për bimët narkotike cannabis sativa, arrestohet 60-vjeçari.
Asgjësohen nëpërmjet djegies bimët narkotike cannabis sativa, të cilat ky shtetas i kishte fshehur në një sipërfaqe toke të mbjellë me misër.
Në vijim të operacioneve me fokus konstatimin dhe goditjen e kultivimit të bimëve narkotike cannabis sativa, si dhe në bazë të informacioneve të siguruara nga inteligjenca policore, për një tjetër rast të kësaj veprimtarie kriminale, shërbimet e Komisariatit të Policisë Fier finalizuan operacionin policor anticannabis të koduar “Ngjeqar”.
Si rezultat i kontrolleve, në territorin e fshatit Ngjeqar, shërbimet e Policisë kapën në flagrancë shtetasin B. G., teksa ujiste bimët narkotike që kishte kultivuar nëpër tokën e tij, të mbjellë me misër, me qëllim fshehjen e tyre.
Në vijim të veprimeve procedurale, u arrestua në flagrancë shtetasi B. G., 60 vjeç, banues në fshatin Ngjeqar, Roskovec, për veprën penale “Kultivimi i bimëve narkotike”, si dhe u asgjësuan nëpërmjet djegies, 17 bimë narkotike cannabis sativa.
Materialet procedurale i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Fier, për veprime të mëtejshme”.
Njoftimi i Policisë së Shtetit
/a.r