Ish-kryeministri Nano iu nënshtrua të Martën procedurës “Endoskopike” nëpërmjet “Trakeostomisë” për të aspiruar sekrecionet në rrugët e mushkërisë.
Ndërhyrja ka rezultuar e suksesshme, por parametrat e oksigjenit pësuan luhatje, ndërsa i është rikthyer temperatura. Por këtë të mërkure shëndeti i Fatos Nanos u përmirësua ndjeshëm, ku në intervale të ndryshme kohore, ai është shkëputur nga aparatura e aspirimit.
Pas daljes nga intubimi, mjekët e spitalit privat po aplikojnë që prej një jave, procedurën e “Trakeostomisë”, që po rezulton efikase.
Kjo procedurë lejon kalimin e ajrit dhe oksigjenit drejt mushkërisë nëpërmjet aparatit të vendosur.
Gjithçka mundësohet nga një tub që është i lidhur me respiratorin dhe trakenë e pacientit. Ai ndodhet i shtruar që prej datës 24 Gusht në një spital privat.
Nano vuan nga insuficenca respiratore, pamjaftueshmëria e mushkërisë për të funksionuar normalisht. Ky problem shëndetësor kronik që po kalon z. Nano njihet në gjuhën mjekësore si SPOK.
/a.r