Shqipëria kreu seancën e fundit në ”Shtëpinë e Futbollit” para nisjes për në Çeki për ndeshjen eliminatore të Euro 2024.
Shqetësim për Sylvinhon vijon të mbetet Qazim Laçi. Mesfushori që aktivizohet në radhët e Sparta Prague vijon të mungojë në seancat stërvitore për shkak të gjendjes gripale. Me shumë mundësi, 27-vjeçari mund të mos udhëtojë për në Çeki, për ndeshjen e katërt të kuqezinjve në grupin E dhe padyshim një nga përballjet më të rëndësishme të rrugëtimit të kuqezinjve. Gjithsesi, gjendja e Laçit do të vlerësohet deri në fund dhe së bashku me mjekët, trajneri Sylvinho do të dalë në një konkluzion të përbashkët.
Të enjten do të vijë dhe momenti i së vërtetës, ku Shqipëria do të ndeshet ndaj kryesuesve të grupit E, Republikës Çeke, në tentativën për të marrë një rezultat pozitiv e për të rritur shanset e kualifikimit në Euro 2024. Për të përcjellë çdo emocion mos harroni të ndiqni dhe emisionin ”Kuqezi” që do të transmetohet para dhe pas ndeshjes, ku do të keni mundësi të ndiqni analizën e specializuar, shoqëruar dhe nga prononcimet e protagonistëve të sfidës.
Ndeshja do të transmetohet në 20:45 në SS2 nën komentin e Ylli Agës dhe Erjon Xhafës, falas për të gjithë ata që kanë një abonim familjar aktiv.