Publikohet emaii i fundit i pilotit vrasës të “Germanwings” Andreas Lubitz.
Më 24 Mars të vitit të shkuar, Lubitz përplasi qëllimisht avionin A320 në alpet franceze, duke u marrë jetën 149 personave që ndodheshin në bord.
Emaili që 27–vjeçari i dërgoi mjekut të tij, 2 javë përpara aktit barbar, u publikua të shtunën nga gazeta gjermane “Bild”.
Ashtu siç u konfirmua pas përplasjes, ai vuante nga depresioni dhe po humbiste dalëngadalë shikimin, për këto arsye ai kishte frikë se do të humbiste vendin e punës.
“Kam frikë se do të verbohem dhe nuk e heq dot nga mendja këtë mendim”, i shkruajti Lubitz mjekut të tij.
Emaili zbulon se ai po merrte doza të larta Mirtazapine, një ilaç kundër depresionit që përdoret gjithshtu për të induktuar gjumin.
Lubitz, i cili e çoi avionin në zbritje të menjëhershme pasi mbylli jashtë kabinës pilotin tjetër, shkruan se ilaçet po e bënin atë më keq dhe se ishte në panik sa i përket shikimit.
Ai i shkruan gjithashtu terapistit se ndihej i bezdisur nga tensioni i vazhdueshëm i syve: “Nëse nuk do kisha probleme me sytë, gjithçka do të shkonte për mrekulli.
Pak kohë pas tragjedisë ajrore, u zbulua se Lubitz, 5 vite përpara përplasjes ishte konsultuar me 41 doktorë të ndryshëm. Ai vuante nga një depresion i rëndë dhe kishte tentuar disa herë të vetëvritej.
Avioni i “Germanwings”, kompani e Lufthansës, ishte nisur nga Barcelona drejt Dyseldorfit.
Raporti përfundimtar mbi ngjarjen do të publikohet më 13 Mars.
Gazeta “Bild” ka publikuar të detaje të tjera rreth Lubitz dhe shëndetit të tij, si dhe rolit të mjekëve të ndryshëm që i dhanë atij statusin e të sëmurit.
Gazeta thotë se dy ditë pas përplasjes së avionit, një psikiatër i tha policisë: “Mos më thoni që ai po pilotonte një avion”.