Për të organizuar procesin e dhënies së lejeve të ndërtimit në njësitë e pushtetit vendor do të ngrihen zyra të posaçme të cilat do të japin informacion mbi dokumentet që duhen për marrjen e lejes si dhe afatet që do të respektohet. Deri në miratimin e planeve të reja rregulluese lejet e ndërtimit mund të jepen për banesa private deri në 250 m2 si dhe për shtesat në objektet ekzistuese.
Nga momenti i plotësimit të dosjes leja lëshohet Brenda 20 ditëve me firmën e kreut të bashkisë përkatëse. “Pranë çdo njësie bazë të qeverisjes vendore ngrihet sporteli i shërbimit me një ndalesë për veprimtaritë ndërtimore, i cili kujdeset për të gjitha marrëdhëniet ndërmjet palës së interesuar, autoritetit vendor të planifikimit dhe organeve të tjera të administratës publike që kanë detyrimin të japin mendimin e tyre në lidhje me punimet, objekt i kërkesës për leje ndërtimi apo deklaratës për punime paraprake”, saktësohet në VKM 408.
Sporteli i shërbimit përbën pikën e vetme të kontaktit të palës së interesuar me administratën publike në lidhje me kërkesën për leje ndërtimi dhe ndërhyrjen përkatëse në territor. “Autoriteti vendor i planifikimit është përgjegjës për bashkërendimin e punës me të gjitha institucionet shtetërore dhe operatorët e shërbimeve publike, që mbulojnë fushën përkatëse të veprimtarisë në territorin ku kryhet zhvillimi, për t’u siguruar se projekti, për të cilin kërkohet pajisja me leje, nuk ndërhyn apo dëmton zonat e mbrojtura, monumentet e kulturës, trashëgiminë kulturore apo rrjetet e infrastrukturës.
Për këtë qëllim, sporteli i shërbimit merr sipas rastit aktet e pëlqimit, sido që të jenë të emërtuar nga legjislacioni në fuqi, nga autoritetet që kanë përgjëgjësi për mbrojtjen e mjedisit, të trashëgimisë kulturore e historike, të shëndetit dhe të sigurisë publike”, thuhet në VKM.
Sporteli u ofron personave të interesuar të gjitha infomacionet e nevojshme për realizimin e ndërtimit, përpara dorëzimit dhe gjatë shqyrtimit të aplikimit, përfshirë “fragmente nga harta e gjendjes ekzistuese të pasurisë/ve; hartat e infrastrukturave inxhinierike ekzistuese në zonë, për identifikimin e pikave të lidhjes, përkatësisht për furnizimin me ujë, largimin e ujërave të zeza, rrjetin elektrik, rrjetin e komunikimit elektronik dhe pikat rrethuese të depozitimit të mbetjeve; hartat me hapësirat e gjelbra publike dhe fondin e drurëve rreth apo në parcelën/parcelat për zhvillim; informacione rreth kufizimeve apo kushtëzimeve të veçanta sektoria le në zonën objekt studimi, si ato të monumenteve të kulturës, mjedisit etj., sipas rastit; çdo informacion tjetër të nevojshëm për kryerjen e detyrës së projektimit”, saktësohet në VKM.
Pikërisht në këtë zyrë do të paraqiten deklaratat paraprake për punime, kërkesat për leje zhvillimi, kërkesat për leje ndërtimi, si dhe çdo akt pëlqimi, sido që të jetë i emërtuar, në fushën e veprimtarisë ndërtimore. Institucionet shtetërore dhe operatorët e shërbimeve publike kanë detyrimin që brenda 10 ditëve nga kërkesa t’i njoftojnë autoritetit përgjegjës, në rrugë elektronike, aktet e pëlqimit/ miratimit lidhur me zhvillimin e propozuar.
Në mungesë të përgjigjes brenda afatit 10-ditor, pëlqimi/miratimi konsiderohet i dhënë, sipas parimit të miratimit në heshtje, dhe autoriteti i planifikimit ka detyrimin të vijojë me shqyrtimin e kërkesës për leje.
Zonat për ndërtim do të regjistrohen në ZRPP
Procedura pas miratimit të planeve të detajuara vendore
Qeveria me anë të VKM 671 përcakton se zonat që me planet e detajuara vendore do të saktësojnë qartë pikat ku do të lejohet ndërtimi. Pas kësaj hapësirat do të regjistrohen në Hipotekë si dhe do të bëhen publike.
“Pas miratimit të planit të detajuar vendor (PDV), autoriteti përgjegjës informon dhe/ose regjistron në regjistrin e pasurive të paluajtshme, si bazë për kryerjen e transaksioneve me pronën:
- a) hartën e parcelave të reja që krijohen nga nënndarja dhe/ose bashkimi i parcelave ekzistuese;
- b) hartën e parcelave të reja që krijohen nga nënndarja dhe/ose bashkimi i parcelave ekzistuese dhe që janë objekt transaksioni vetëm pasi infrastruktura e pritshme e zonës/njësisë të jetë regjistruar në regjistrin e pasurive të paluajtshme në pronësi të autoritetit publik përkatës. Infrastruktura do të regjistrohet npronësi të autoritetit public, në përfundim të procesit të ndërtimit të saj, sipas përcaktimeve të planit të veprimeve të PDV-së”, thuhet në VKM
Lejet e ndërtimit për ndërtime brenda zonës për të cilën është hartuar PDV-ja, jepen nga kryetari I njësisë vendore mbi bazën e këtij plani, në përputhje me shkronjën “a”, të nenit 29 të ligjit dhe përcaktimeve të rregullores së zhvillimit në zbatim të ligjit.
Punime që kryhen me deklaratë paraprake punimesh
- i) Punime të jashtme, si:
-ndërhyrjet e mirëmbajtjes së zakonshme kur sjellin ndryshime të karakteristikave, formave dhe ngjyrave ekzistuese;
-punimet mirëmbajtëse për mbulesat vendosja e shtresave për rritjen e efiçencës energjetike të ndërtesave ekzistuese.
- ii) Punime të brendshme, si:
-përforcimi i strukturave mbajtëse të brendshme;
-hapja dhe mbyllja e dyerve të brendshme;
-krijimi, eliminimi ose ndryshimi i mureve ndarëse (jombajtëse) të brendshme, i mjediseve për shërbime higjienike;
-realizimi i impianteve të reja higjieno-sanitare dhe të ngrohjes/ftohjes;
-punimet për ndërtimin e rampave për përshtatjen e ndërtesave për personat me aftësi të kufizuara;
-struktura që instalohen për nevoja të çastit dhe të përkohshme, pa themele dhe që hiqen në çdo rast brenda një afati kohor maksimal 150
-ditor;
-vendosja e paneleve diellore, fotovoltaike, në shërbim të ndërtesave, jashtë zonave të trashëgimisë historike, kulturore apo zonave të
mbrojtura mjedisore, ku vendosja e tyre është e ndaluar;
-punime riparimi, zëvendësimi dhe mirëmbajtje e rrjeteve të infrastrukturës publike, që nuk prekin sistemin konstruktiv të tyre, nuk ndryshojnë
përdorimin dhe përmasat e infrastrukturës si dhe kushtet e zhvillimit në zonën përreth;
– punime riparimi, mirëmbajtje dhe rehabilitimi të infrastrukturës së ujitjes, kullimit dhe mbrojtjes nga përmbytja;
-vendosja e tendave të diellit dhe pergolateve, në përputhje me ligjin që rregullon bashkëpronësinë në ndërtesat e banimit dhe rregulloren arkitektonike të qytetit;
– ndërhyrjet me qëllim ruajtjen apo rritjen e efiçencës energjetike dhe akustike në një strukturë ekzistuese, që nuk prekin sistemin konstruktiv të
ndërtesës (p.sh. ndërhyrj e në themele, mure mbajtëse, tra-kolonë etj.);
-serra të çmontueshme, pa themele të vazhduara, në shërbim të aktiviteteve bujqësore;
Punime për të cilat kërkohet pajisja me leje ndërtimi
- a) rezultojnë në krijimin e ndërtimeve e reja, përfshirë ato të përkohshme, me përjashtim të rasteve të parashikuara në këtë rregullore;
- b) rezultojnë në rikonstruksion, riparim dhe restaurim që çojnë në krijimin e një strukture tërësisht ose pjesërisht të ndryshme nga ajo e
mëparshme dhe që kanë si pasojë shtimin e njësive dhe/ose ndryshimin e vëllimit ndërtimor, sipërfaqes së ndërtimit, pamjes së jashtme të objektit, të përdorimit ose të sistemit konstruktiv;
- c) realizojnë mirëmbajtje të jashtëzakonshme sipas kësaj rregulloreje, të shoqëruar me ndryshime të sistemit konstruktiv të objektit;
ç) kanë si pasojë prishjen e objekteve, në rast se prishja nuk shoqërohet me ndërtim të ri. Nëse prishja shoqërohet me ndërtim të ri, leja për
prishje është pjesë e lejes së ndërtimit dhe shënohet në kushtet e dokumentit të lejes.
Shqiptarja.com