Autoritetet në Pensilvani janë ngritur në këmbë në kërkim të një burgosurit i cili arriti të arratisej nga qelia vetëm një javë pasi u dënua me burg përjetë për një vrasje të kryer disa vjet më parë.
34-vjeçari brazilian Danelo Cavalcante, u arratis nga burgu i qarkut Chester në Ëest Chester të enjten në mëngjes, ndërkohë që autoritetet ende po hetojnë mënyrën sesi ai ia doli t’iu shmangej rojeve.
Cavalcante, i kërkuar dhe në vendin e tij të origjinës për krime të rënda, u shpall fajtor nga gjykata amerikane javën e kaluar për vrasjen e ish-të dashurës së tij në sy të dy fëmijëve të saj të vegjël.
Tashmë, qindra efektivë policie janë vënë në kërkim të tij, ndëkohë që autoritetet iu kërkojnë banorëve të kenë kujdes pasi ai mund të jetë i armatosur dhe ka vënë në dispozicion të tyre një foto të të dyshuarit dhe numrin e telefonit se ku mund të njoftojnë nëse e shohin atë.
Cavalcante vrau me thikë ish-të dashurën Deborah Brandao në prill 2021 përpara fëmijëve të saj, të cilët në atë kohë ishin katër dhe shtatë vjeç. Gruaja u godit me thikë 38 herë, teksa autori u kap disa orë më vonë në Virxhinia.
/a.r