Procedura që po ndjek Këshilli i Lartë i Drejtësisë për vlerësimin e gjyqtarëve ka shkaktuar një përplasje të fortë mes anëtarit Sokol Çomo dhe kreut të KLDsë, Presidentit të Republikës, Bujar Nishani, në mbledhjen e fundit.Në mbledhjen e datës 22 shkurt 2016, KLD ka shqyrtuar disa projektakte vlerësimi të Inspektoratit të KLDsë për vitet 20072009. Anëtari Çomo ka pohuar se do të votonte kundër në të gjitha rastet, duke e vlerësuar si të papranueshëm faktin që KLD harxhon energji për të vlerë suar punën e gjyqtarëve në vitin 2007. Sipas tij, këto janë vlerësime formale që nuk japin asnjë efekt në misionin dhe detyrat që ka KLD.
Anëtari Çomo ka shprehur bindjen e tij se KLD duhet të orientohet drejt procedurës së vlerësimeve të përshpejtuara, sidomos në rastet kur ka kërkesa për promovime në karrierë të gjyqtarëve. Përgjigja e Presidentit Nishani, se anëtarët e zgjedhur nga Kuvendi duhet të komunikojnë me Parlamentin për të ndryshuar ligjin ka ndezur më tej debatin. Nga ana e tij, Çomo është shprehur se ligji për vlerësimin e përshpejtuar ekziston, por sipas tij, asnjëherë nuk është zbatuar. “Këtu është bërë promovimi i gjyqtarëve të apelit, është bërë emërimi i kryetarëve të gjykatave pa iu nënshtruar procedurës së vlerësimit të përshpejtuar që ligji e parashikon”, ka theksuar Çomo. Debati mes të dyve ka vijuar edhe më tej, ku nuk është kursyer edhe ironia në drejtim të njëritjetrit.
Gazeta “Panorama” ka siguruar një kopje të procesverbalit të mbledhjes së KLDsë, ku zbardhet e plotë përplasja mes Presidentit Bujar Nishani dhe anëtarit Sokol Çomo. Në mbledhjen në fjalë, KLD miratoi me shumicë votash projektaktet e vlerësimit për 15 gjyqtarë
Debati në mledhje
Sokol Çomo: Unë dua të shpjegoj votën time kundër. Meqenëse ajo do të jetë e tillë edhe për të gjitha vlerësimet në vazhdim, do ta shpjegoj votën time vetëm një herë. Në optikën time është e papranueshme që sot, në vitin 2016, ne të vazhdojmë dhe t’i harxhojmë energjitë tona për të vlerësuar gjyqtarët në vitin 2007. Diferenca kohore prej 9 vitesh (nga 2016 deri në 2007) vazhdon dhe thellon hendekun midis kohës reale që duhet të kishte procesi i vlerë simit dhe asaj që ne jemi duke bërë në fakt. Ky vlerësim, me një diferencë kohe prej 9 vitesh, nuk përmbush qëllimet e ligjit, pasi qëllimet kryesore të ligjit janë që nga procesi i vlerësimit, të identifikohen nevojat për trajnime të gjyqtarëve dhe kuptohet që pas 9 vitesh, edhe sikur të kuptojmë ndonjë gjë nga ky sistem vlerësimi, nuk ndihmojmë dot për trajnimin e këtyre gjyqtarëve, dhe nga ana tjetër, edhe sikur të identifikonim gjyqtarë të paaftë, ne përsëri nuk do të kishim asnjë hapësirë ligjore për t’i larguar këta gjyqtarë nga sistemi, pasi parashikimet ligjore e pamundësojnë një gjë të tillë. Dhe në këto kushte, kur hendeku kohor midis vlerësimeve që bën KLDja dhe viteve reale që vlerësohen sa vjen dhe thellohet, unë përsëri i ngelem idesë që energjitë e Inspektoratit, energjitë e KLDsë duhet të orientoheshin drejt vlerësimeve të përshpejtuara, të cilat do të duhet t’u dedikoheshin rasteve kur vërtet kemi kërkesa për promovime në karrierë të gjyqtarëve dhe vazhdimësia në këtë rrugë është joeficiente dhe kjo është arsyeja që unë votoj kundër, pa e lidhur me vlerat individuale të gjyqtarëve, por votoj kundër për shkak të këtij procesi, që në optikën time e ka humbur kuptimin. …
Bujar Nishani: Po! Faleminderit! Unë do të vazhdoj të ripërsëris edhe atë çka kam thënë në të shkuarën në trajtimin e këtij shqetësimi që, për hir të së vërtetës, zoti Çomo e ka ngritur vazhdimisht. Për sa kohë është një detyrim ligjor, unë nuk shoh mundësinë që Këshilli i Lartë i Drejtësisë të anashkalojë ligjin apo ta injorojë zbatimin e ligjit. Megjithatë, unë do të kërkoja me shumë dëshirë që, anëtarët që vijnë në Këshillin e Lartë të Drejtësisë nga Kuvendi i Shqipërisë, mundësisht të konstatonin dhe të komunikonin me Parlamentin, i cili ta ndryshonte ligjin dhe detyrimin ligjor përkatës, në mënyrë të tillë që t’i hapte rrugë një qëndrimi më fleksibël të Këshillit të Lartë të Drejtësisë në këtë çështje. …
Sokol Çomo: Meqenëse u komentua ajo që unë deklarova në votimin e kaluar, më duhet ta marr edhe një herë fjalën. Ajo që unë ngrita si shqetësim është që megjithëse ligji parashikon në mënyrë të qartë vlerë simin e përshpejtuar, nuk është bërë asnjëherë nga ky Këshill, megjithëse është kërkuar në mënyrë të vazhdueshme. Këtu është bërë promovimi i gjyqtarëve të apelit, është bërë emërimi i kryetarëve të gjykatave pa iu nënshtruar procedurës së vlerësimit të përshpejtuar që ligji e parashikon. Kështu që asnjë anëtar i KLDsë nuk ka çfarë të kërkojë ligje të tjera kur, një ligj kaq i qartë sa ky që ne kemi, që në rast se do të emërosh dikë në gjykatat e apelit duhet t’ia nënshtrosh procedurës së vlerësimit të përshpejtuar, nuk zbatohet. Fakti që ligji nuk zbatohet, nuk do të thotë që duhet të kërkosh ligje të tjera. Zbatojmë një herë këtë që kemi. Është e zezë mbi të bardhë. E kam kërkuar në mënyrë të vazhdueshme që të bëhet. Asnjëherë nuk është bërë. Dhe mendoj që edhe tentativa për të zbehur shqetësimin tim, duke bërë komentime të caktuara, nuk është se e zgjidh moszbatimin e ligjit. Moszbatimi i ligjit është një çështje fakti, është një çështje e procesverbaleve të mbledhjeve të Këshillit të Lartë të Drejtësisë, është një çështje e cila ka vite që trajtohet në këtë tryezë. Që në fillim të veprimtarisë sime si anëtar i këtij Këshilli, kam konstatuar që kemi hapësira ligjore për vlerësimin e përshpejtuar, të cilat nuk i kemi zbatuar në mënyrë flagrante. Dhe për këtë arsye votova përsëri kundër edhe për vlerësimin në fjalë, jo se ka të bëjë me gjyqtarin konkret, por ka të bëjë me procesin. Janë energji që shkojnë në një proces joefektiv, ndërkohë që ne kemi pasur të gjitha mundësitë ligjore për t’i rifutur energjitë e Këshillit të Lartë të Drejtësisë në terren ligjor dhe të bënim vlerësime sipas nevojave që do të kishim për karrierën e gjyqtarëve dhe jo të bëjmë vlerësime formale, e theksoj, formale, që nuk japin asnjë efekt në misionin dhe detyrat që ka Këshilli i Lartë i Drejtë sisë. …
Bujar Nishani: Unë dëshiroj që të tërheq vëmendjen e zotit Çomo, në lidhje me respektimin e një kodi etik në lidhje me komunikimin me Kryetarin e Këshillit të Lartë të Drejtësisë. Kryetari i Këshillit të Lartë të Drejtësisë, si çdo anëtar tjetër, nuk bën komente. Kryetari i Këshillit të Lartë të Drejtësisë jep opinionin tij, jep mendimin e tij, jep informacionin e tij dhe bën sqarimet ndaj anëtarëve të Këshillit të Lartë të Drejtësisë, të cilët kanë të drejta të barabarta në këtë tryezë. Gjithsesi, administrata, në përfundim të kësaj mbledhjeje, të përgatisë një listë të plotë me të gjitha rastet e vlerësimeve të përshpejtuara që janë bërë dhe t’i jepet zotit Çomo që të ketë një informacion në lidhje edhe me këtë pikë. …
Sokol Çomo: Meqenëse u la detyrë, i nderuar President, që të përgatitet një listë lidhur me vlerësimet e përshpejtuara, do kërkoja që të përgatitet një listë se sa ka qenë numri i atyre gjyqtarëve që janë promovuar në gjykatat e apelit dhe që janë zgjedhur kryetarë gjykatash (në periudhën të paktën nga tetori 2013 e këtej që unë jam anëtar i këtij Këshilli), pa pasur dy vlerësime dhe pa pasur procedurë vlerësimi të përshpejtuar. Sepse vetëm në qoftë se do të shohim se sa ka qenë numri i gjyqtarëve që janë promovuar në apele, pa pasur dy vlerësime dhe pa pasur vlerësim të përshpejtuar, sa kanë qenë kryetarët që kanë pas vetëm një vlerësim dhe nuk i është bërë vlerësim i përshpejtuar, do të kuptojmë se cilat kanë qenë pasojat e vërteta negative që ka sjellë moszbatimi i kërkesës së ligjit për të bërë vlerësim të përshpejtuar në rastin e promovimit të gjyqtarëve në gjykatat e apelit. Dhe ju lutem, unë optikën time nuk e kam me copëza. Optikën time e kam 360 gradë. Kështu që do t’ju lutesha që ta urdhëronit administratën që të bëjë edhe këtë detajim të këtij informacioni, që të kenë mundësi të gjithë të kuptojnë se cila ka qenë pasoja e vërtetë e moszbatimit të ligjit nga Këshilli. Faleminderit! …
Bujar Nishani: Zoti Çomo, s’keni pasur asnjëherë ndonjë pengesë për sa kohë – dhe keni jo pak kohë në KLD – që të kërkoni dhe ta merrni këtë informacion. Nëse administrata e ka pasur këtë kërkesë nga zoti Çomo dhe s’ia ka dhënë, keni bërë gabim./Panorama