Fatos Nano vuan SPOK, sëmundje që prek rrugët e frymëmarrjes. Mjeku pneumolog Arben Tanka thotë në një intervistë për gazetaren e Report TV Enxhi Musa se SPOK është e pashërueshme.
Sipas mjekut vjen nga pirja e duhanit, ndotja e ajrit por mund të jetë edhe genetike. Sipas tij bluzat e bardha mund të ndihmojnë pacientin vetëm në lehtësimin e frymëmarrjes.
SPOK-u është shkurtimi i Sëmundjes Pulmonare Obstruktive Kronike. Një sëmundje kronike që shkaktohet nga thithja e tymrave kryesisht të duhanit, të elementëve kimikë që ndodhen në përbërjen e tij. Faktorë të tjerë janë ndotja atmosferike dhe elementët e dëmshëm të saj. Gjithashtu ka dhe faktorë gjenetikë, por në komponentë shumë të vegjël. Ndahet në dy grupe kryesore: Bronkiti kronik dhe enfizema pulmonare. Këta të sëmurë, kryesisht mbi 50 vjeç, vuajnë nga gëlbaza e shtuar, nga inflamacioni kronik i rrugëve të ajrit, mund të kenë temperatura të shpeshta, i kalojnë virozat më ashpër se njerëzit e tjerë. Kanë vështirësi në frymëmarrje dhe vështirësi në lëvizje shumë të shkurtra.
Sipas statistikave të OBSH-së, SPOK cilësohet si shkaktar i 1/3 të vdekjeve në botë. Përveç se ka këtë rëndesë në vuajtjen kronike të mushkërive fillon të komplikohet dhe në organe të tjera, siç është dobësimi i zemrës. Njerëzit e prekur , janë shumë të ndjeshëm që të kenë një mbivendosje pneumonie në mushkëritë e tyre. Mund të ketë pamjaftueshmëri oksigjeni të thellë dhe si të detyrohen të marrin oksigjen shtesë. Është një sëmundje kronike.
Mund të mos ketë dhimbje fare, por të ketë vështirësi në frymëmarrje. Nëse ka rënë në pneumoni të rëndë, mund të intubohet. Këshilla e parë për këta persona është lënia e duhanit. Dëmtimet që ka dhënë pirja e duhanit dhe ndotja atmosferike janë të pakthyeshme. Nuk mund të pretendojmë se shërohet, por ndihmohet në varësi të gradës së sëmundjes. Në gjuhën popullore janë “pompat”, “inhalatori” i cili i ndihmon këtë persona të kenë më pak probleme, që nga shmangia e një lodhje të shpejtë.’- tha mjeku.
Ish-kryeministri socialist, vazhdon të jetë i intubuar pasi atij i është rikthyer një problem kronik respirator që në gjuhën mjekësore, njihet me SPOK, sëmundje pulmonare obstruktive kronike që ngushton dhe dëmton rrugët ajrore të mushkërive. Burime nga spitali për Report Tv bënë me dije se mjekët i kanë bërë një ndërhyrje në trake për t’i lehtësuar frymëmarrjen. Ish kryeministri dhe lideri i historik i PS, u nderua nga Kryeministri Rama me medaljen e mirënjohjes publike disa ditë më parë.
Nano ka qenë kryetar i Partisë Socialiste që nga 12 qershori i vitit 1991 e deri në vitin 2005, periudhë në të cilën shërbeu edhe si kryeministër i Republikës së Shqipërisë.
/f.s