Një 39-vjeçar shqiptar në Itali ka rënë në prangat e Policisë, pasi dyshohet se është një person i rrezikshëm i krimit të organizuar.
Lajmin e janë bërë të ditur mediat italiane, sipas të cilave, bëhet fjalë për shtetasin Binak Çela, i njohur ndryshe dhe si Daniel Popescu.
Mësohet se arrestimi i tij u bë në Romë, pasi ishte shpallur në kërkim që prej vitit 2018.
Binak Çela u ndalua pas një kontrolli rutinë rrugor, ku pasi kishte parë patrullën rrugore, shqiptari tentoi të bëj një ndryshim drejtimi të automjetit, gjë që ka çuar në dyshimet e ndjekjen nga patrulla e policisë.
Në momentin e ndalimit është justifikuar se ishte një turist e nuk njihte rrugët. Por kontrolli i Policisë Italiane zbardhi identitetin e tij duke e vënë në pranga.
Arrestimi i Çela-s mund të ndihmojë policinë italiane për të hetuar e zbardhur aktivitetin kriminal të bandave shqiptare në kryeqytetin italian, Romë.
Ndaj tij rëndon akuza e ‘armëmbajtjes pa leje’ dhe e ‘grabitjes’. Hetimet e antimafias italiane konfirmojnë se ai është shumë pranë bandës kriminale me veprim në veri të Romës, që drejtohet nga ish boksieri Petrit Bardhi, e që konsiderohet nga më të fortat në këtë qytet./m.j