Kreu i Lëvizjes për Zhvillim Kombëtar, Dashamir Shehi, është shprehur kundër vendimit të grupit parlamentar të Partisë Demokratike për të bojkotuar Kuvendin. Në një intervistë me gazetën Shekulli, Shehi e quan veprimin e opozitës si joproduktiv, ndërsa nuk heziton ta cilësojë ekspozim të kotë para ndërkombëtarëve për të fituar kredo politike. Përpjekjen e Berishës për t’u kthyer në krye të Partisë Demokratike e quan si jashtë kohe.
“Opozita ka përpara beteja të mëdha dhe duke qëndruar jashtë Parlamentit do të mbeten përgjysmë reformat që kemi nisur dhe që presin të përfundojnë. Në gjykimin tim betejat që një parti politike i nis duhet t’i çojë deri në fund, pasi të jem i sinqertë, me bojkot nuk mbërrihet askund. Kam bindjen se edhe pjesa tjetër mendon si unë se, opozita e ka vendin në Kuvend për t’u përballur me maxhorancën”, thotë Shehi.
“Presioni po ushtrohet nga Berisha dhe të tjerë, pasi sipas tyre kjo është rruga më e mirë për të fituar pikë. Por sipas meje, kjo jo vetëm që nuk është rruga për të fituar pikë, por është një lloj vetizolimi dhe vetizolimi nuk është produktiv për opozitën në asnjë rrethanë. Unë këtë sjellje të opozitës e quaj një ekspozim të kotë dhe të panevojshëm, si para ndërkombëtarëve dhe para qytetarëve shqiptarëve. Sipas meje, PD-ja nuk është duke përdorur armët e duhura në këtë betejë. Ne i kemi të gjitha mundësitë për t’i mbrojtur qëndrimet tona në Parlament. Nuk e di ku është leverdia për të dalë jashtë Parlamentit? Përgjigjen e kësaj pyetjeje nuk e kam kuptuar ndonjëherë”.
Për sa i përket idesë së Berishës për lënien e mandateve, Shehi thotë se është diçka e panevojshme, pasi ka mbetur vetëm një vit nga zgjedhjet e ardhshme dhe ndërprerja e mandatit do të ishte thjesht punë e lënë përgjysmë.