Agjencia e njohur italiane e lajmeve, AGI, është përpjekur t’i japë shpjegim pyetjes: “Pse Shqipëria u bë një ndër destinacionet më të rëndësishme turistike të verës së këtij viti?”, në një shkrim ku thotë se ‘vendi i shqiponjave’ u kthye në trend për italianët që kërkojnë destinacione të reja pushimi.
Udhëtimet drejt Tiranës sipas saj shënuan një rekord historik këtë verë. Ajo që ka tërhequr pushuesit ishte deti i bukur dhe i aksesueshëm me çmime të favorshme. Një nga arsyet kryesore pse Shqipëria u bë një destinacion kaq popullor këtë verë është kostoja e ulët për europianët.
Me plazhet e pacënuara, qytetet historike mjaft simpatike dhe peizazhet mahnitëse, Shqipëria po tërheq një numër në rritje udhëtarësh që kërkojnë aventura autentike dhe vende jashtë linjës tradicionale turistike.
Agjencia italiane thekson se kombinimi i bukurisë natyrore, pasurisë historike, kuzhinës së shijshme dhe ngrohtësisë njerëzore po pushton zemrat e italianëve në kërkim të përvojave të veçanta./f.s