Partia Socialiste pritet të thërrasë mbledhjen e Asamblesë Kombëtare 10 ditë para mbajtjes së forumit më të lartë të kësaj force, Kongresit i cili është parashikuar për në 19 mars.
Sipas burimeve nga selia rozë, Asambleja do të mblidhet në 9 mars nën drejtimin e kryetarit të partisë Edi Rama, i cili do të mbajë edhe një fjalë hapëse para anëtarëve të Asamblesë.
Ky organizëm do të përcaktojë axhendën e Kongresit.
Në rendin e ditës është parashikuar shqyrtimi i kërkesës së deputeteve Arta Dade dhe Mimoza Hafizi për interpretimin e statutit, bazuar në pretendimet se është shkelur “kushtetuta” e kësaj force politike për zgjedhjen e kryetarit të PS.
Ndërkohë, deputeti Fatmir Xhafa sipas rendit të ditës të parashikuar për mbledhjen e Asamblesë do të paraqesë projekt-statutin e përpiluar nga grupi i punës për ndryshimet dhe përmirësimet statusore. Po ashtu në rendin e ditës janë të parashikuara edhe diskutime jashtë rendit të ditës për çështje të ndryshme.