Kryeministri Edi Rama, i shoqëruar nga Ministrja e Arsimit, Lindita Nikolla, vizitoi sot shkollën “Rilindja” në qytetin e Vlorës, e cila ka përfituar nga programi i qeverisë për rehabilitimin e infrastrukturës shkollore.
Në shkollën artistike “Rilindja”, me një investim prej mbi 60 milionë lekë janë rikonstruktuar ambientet e brendshme dhe terreneve sportive. 21 klasa mësimore, biblioteka, palestër dhe terrene të jashtme sportive do të ofrojnë kushte krejtësisht ndryshe të mësimdhënës për 825 nxënësit e kësaj shkolle.
Kjo shkollë është rikonceptuar jo vetëm si një mjedis ku jepet mësim. Klasat e pikturës, të muzikës, kabineti i informatikës, si edhe terrenet sportive janë në dispozicion të nxënësve edhe ditën e shtunë për aktivitete jashtëshkollore. Një klasë e veçantë i kushtohet fëmijëve të emigrantëve të thyer rishtas, për t’i ndihmuar ata të integrohen sa më shpejt në kushtet e reja për ta.
Në periudhën 2014-2015, për Qarkun e Vlorës është investuar për ndërtimin dhe rikonstruksionin e 10 objekteve shkollore.