Adoleshenti nga Saranda që ngiste Benzin e babait pa patentë ka pretenduar para hetuesve se nuk është fajtor për aksidentin fatal, ku humbën jetën dy turistët italianë. Ekspertët në vendin e ngjarjes konstatuan se makina e Rrakut ka devijuar korsine, duke u përplasur me motorin e turistëve, por ai pretendon të kundërtën.
Gjatë marrjes në pyetje nga hetuesit adoleshenti ka deklaruar:
“Isha në kahun tim të lëvizjes nga Saranda drejt Ksamilit, kur tek hidrovori erdhi një motor dhe u përplas në xhamin e makinës. Ata mbanin shihe birre në duar. Kam shtypur frenat dhe më pas nuk mbaj mend sepse nga përplasja humba kontrollin. Nuk jam fajtor sepse isha në korsinë time”.
Pyetjes së hetuesve se si ke përfunduar në korsinë e kundërt, Rraku është përgjigjur se “nuk e mbaj mend sepse pas përplasjes humba kontrollin e makinës”. 17-vjecari nga qyteti i Sarandes, E. Rraku drejtonte makinën Mercedes Benz me 200 kuaj fuqi, pa patentë, por edhe për këtë e ka një justifikim.
“Çelësat i kam marrë në shtëpi pa leje dhe shkova ne një restorant te Sarandes. Pas darkës u nisa me makinën e babait për në Ksamil, për të përcjellë shokun në shtëpinë e tij”.- tha ai.
Të njëjtës dëshmi në polici i ka qëndruar dhe shoku i tij, 16-vjecari që gjendej pasagjer në makinë./m.j