Përfaqësuesja e Lartë për Politikën e Jashtme dhe të Sigurisë në Bashkimin Europian, Federica Mogherini deklaron se, e ardhmja e marrëdhënieve të Shqipërisë me BE-në varet shumë në aftësinë e institucioneve shqiptare për të kaluar reforma të thella – duke filluar nga reforma gjyqësore.
Në një shkrim në faqen e saj on-line http://www.federicamogherini.net/, Mogherini shkruan se ka kaluar dy ditët e fundit mes Tiranës, Parisit dhe Rabatit.
“Turneu ka filluar të enjten nga Shqipëria: Aty iu drejtova Parlamentit për të ardhmen e marrëdhënieve të vendit me Evropën, e cila varet shumë në aftësinë e institucioneve shqiptare për të kaluar reforma të thella – duke filluar nga reforma gjyqësore”, shkruan Mogherini.
Sipas saj, “këto reforma nuk bëhen për hir të Brukselit, por për qytetarët e Shqipërisë. Kjo është ajo që kam diskutuar me presidentin Bujar Nishani, kryeministrin Edi Rama, ministrin e jashtëm Ditmir Bushati, kryetarin e Kuvendit Ilir Meta dhe anëtarët e opozitës”.
“Suksesi i Shqipërisë mund të ishte një sukses për të gjithë Bashkimin Evropian, për shkak se nevoja jonë për bashkëpunim rritet nga dita në ditë: për sigurinë dhe terrorizmin, në parandalimin e radikalizimit, stabilizimin e Ballkanit, menaxhimin e flukseve të refugjatëve të cilët janë të ikur nga lufta në Siri”, thekson Përfaqësuesja e Lartë për Politikën e Jashtme dhe të Sigurisë në Bashkimin Europian, Federica Mogherini .