Nga Mero Baze
Aksidenti fatal i dy të rinjve italianë në Ksamil është lajmi më i keq I sezonit. Dhe bëhet akoma më I keq, kur vrasësit nuk janë thjesht dy adoleshent por kultura jonë e paligjshmërisë, kur dy adoleshent marrin makinën dhe lëshohen pa asnjë lloj frike rrugëve të zonës më të ngarkuar me trafik në Republikë në këtë muaj.
Vrasja e dy turistëve italianë është dhe një krim tipik I kulturës sonë antiligjore, ku prindërit e kane për nder që fëmijët marrin veturën në rrugë ende pa marrë patentën dhe akoma më keq, marrin me vete në veturë dhe shok të tyre.
Ndëshkimet në këtë rast duhet të jenë jo vetëm për fëmijët por dhe për te zotin e veturës që ua ka dhënë fëmijëve dhe prindërit e tyre.
Dy turistët italianë janë vrarë nuk janë aksidentuar. Ata kanë qenë në rrugën e tyre dhe dikush ua ka prerë jetën në mes, thjeshtë nga papërgjegjësia e familjeve shqiptare shoqërisë shqiptare dhe rendit publik. I kemi vrarë të gjithë nga pak. Dhe është pikërisht ndëshkimi që I japim turizmit tonë pikërisht nga veset tona.
Shkarkimi I shefit të qarkullimit të Sarandës është një masë e padobishme. Nuk e di kush është , por problem që ka qarkullimi në Sarandë dhe Ksamil në verë nuk ka lidhje me 5 policë që ka Saranda.
Saranda dhe Ksamili kanë nevojë për një status të ri të policisë bashkiake gjatë sezonit veror dhe natyrisht për forca speciale shtesë për të disiplinuar qarkullimin.
Disa herë Bashkia e Sarandës e ka kërkuar këtë nga Ministria e Rendit në vite por nuk I është miratuar.
Këtë status aktualisht e ka vetëm Tirana. Vetëm në kryeqytet policia bashkiake mund të disiplinoj trafikun të vendos gjoba dhe të marr nën kontroll trafikun kur ka krizë.
Së pari kjo duhet të kthehet në ligj. Gjithë zona bregdetare e Shqipërisë në verë duhet që të konvertoj policitë bashkiake me kompetenca të policisë së qarkullimit rrugor dhe të marrin nën kontroll trafikun.
Rrugët e Sarandës dhe Ksamilit, përveçse të nbgushta dhe të papërgatitura për këtë fluks, vuajnë dhe kulturën e banorëve vendas të cilët ende nuk e kuptojnë se çdo të thotë të parkosh 5 minuta mes të rrugës sa të blesh bukë apo të pyesësh komshiun si ka fjetur mbrëmë.
Kultura sedentare e 9 muajve të dimrit në një qytezë bosh pa trafik në verë kthehet në kancer për trafikun.
Shtoji kësaj dhe arrogancën e një pjese të turistëve që vijnë nga emigracioni për të demonstruar maiknën apo statusin e ri të njeriut me lek, dhe situate aty bëhet e papërballueshme.
Aq pak policë sa ka Saranda Lezha apo Kavaja për sezonin e plazhit janë të papërfillshëm, nëse nuk angazhohen forca të reja.
Së fundmi kjo ngjarje ashtu si aksidenti I vitit të shkuar në Llaman, duhet të kthehet në një precedent të ndëshkueshmërisë së lart, duke ngritur në një standard tjetër ndëshkueshmërinë për përgjegjësinë familjare shoqërore dhe ligjore për adoleshentë që përkëdhelen duke I kthyer në kamikazë rrugëve të Shqipërisë.
Nuk I kanë vrarë vetën ata adoleshent turistët. Të gjithë I kemi ndihmuar vrasësit me kulturën tonë antiligjore në trafik, me tolerimin e paligjshmërisë dhe mbi të gjitha me mungesën e frikës nga ligji në raste të tilla.