Aksidenti me vdekjen e dy turistëve italianë në Sarandë, ka sjellë masa nga drejtori i Policisë së Shtetit në komisariatin e qytetit bregdetar.
Kështu, drejtori Muhamet Rrumbullaku ka pezulluar nga detyra Shefin e Seksionit të Policisë Rrugore në Komisariatin e Policisë Sarandë, Nënkomisar Adriatik Shehu.
Pezullimi i tij u bë në zbatim të nenit 209, të Rregullores së Policisë së Shtetit, për shkelje të rëndë të atributeve/kompetencave të Policisë, në lidhje me pasojat e aksidentit të ndodhur në orët e para të mëngjesit të sotëm, në aksin rrugor “Sarandë –Ksamil”, ku humbën jetën 2 turistë italianë.
Gjithashtu, ka nisur menjëherë hetimi administrativo-disiplinor për të gjithë zinxhirin komandues të Sektorit të Policisë Rrugore në Drejtorinë Vendore të Policisë Vlorë, për mospërmbushje të procedurave standarde të punës, në lidhje me marrjen e masave për parandalimin e aksidenteve rrugore, gjatë sezonit turistik.
/a.r