Disa shoqëri sekrete janë tashmë të njohura dhe vazhdojnë të veprojnë prej shumë shekujsh. Edhe pse anëtarët e shumë prej tyre janë të njohur, ritet dhe ajo çfarë ndodh në takime nuk bëhet asnjëherë publike. Anëtarësimi në këto shoqëri përgjithësisht bëhet me anë të rekomandimit të një anëtari ekzistues. Nga “The Illuminati”, “Skull and Bones” “Asasinët” e deri te “Fremasonët” dhe “Paria e Sionit”, teoritë konspirative mbi vëllazëritë e fshehta me anëtarë të famshëm
1-“Skull and Bones”
Urdhri i “Skull and Bones” është një shoqëri e Universitetit të Jeilit dhe fillimisht njihej si “Vëllazëria e Vdekjes”. Është një prej shoqërive sekrete studentore më të vjetra në SHBA. Është themeluar në vitin 1832 dhe anëtarësimi është i hapur vetëm për pak njerëz të elitës. Shoqëria përdor rituale me nuanca masonike edhe në ditët e sotme. Anëtarët takohen çdo të enjte dhe të diele në një ndërtesë që e quajnë “Varri”. Sipas Judy Schiff, arkiviste në librarinë e universitetit të Jeilit, emrat e anëtarëve nuk mbaheshin sekret deri në vitet ’70, por ritualet kanë qenë gjithnjë sekret. Dy presidentët Bush kanë qenë anëtarë të kësaj shoqërie, kur studionin në Jeil, si dhe një sërë emrash të tjerë njerëzish të famshëm e të pushtetshëm.
2- Freemasonët
Lozha e Madhe Masonike u krijua në vitin 1717, kur katër grupe lozhash të vogla u bashkuan. Nivelet e anëtarësimit fillimisht ishin të shkallës së parë dh etë dytë, por në vitin 1750 ato u zgjeruan për të krijuar dhe një shkallë të tretë. Kur një person arrin në gradën e tretë quhet “Master Mason”. Masonët i kryejnë takimet e tyre të rregullta sipas një rituali të caktuar. Kjo përfshin shumë referenca ndaj simboleve arkitekturore, siç është kompasi dhe katrori. Ato i referohen zotit si “Arkitekti i madh i universit”. Masonët përdorin shenja dhe shkëmbim duarsh për të hyrë në takimet e tyre, si dhe për të identifikuar veten ndaj njerëzve të tjerë që mund të jenë masonë. Për t’u bërë mason duhet të rekomandohesh nga një mason tjetër.
3- “Rosicrucian”
Urdhri “Rosicrucian” besohet se ka qenë ideja e një grupi protestantësh gjermanë në vitin 1600, kur u botuan tre dokumente: “Fama Fraternitatis Rosae Crucis”, “Confessio Fraternitatis” dhe “Martesa kimike e Rosenkretuzit kristian anno 1459”. Dokumenti i parë tregon historinë e një alkimisti misterioz, i cili udhëton në pjesë të ndryshme të botës për të përftuar njohuri sekrete. Dokumenti i dytë flet për një vëllazëri sekrete alkimistësh, të cilët po përgatiteshin të ndryshonin faqen politike dhe intelektuale të Evropës. Anëtarët e kësaj vëllazërie pretendojnë se origjina e tyre është më e lashtë se këto dokumente. Sot ka shumë grupe të tilla dhe secili pretendon të ketë lidhje direkte me origjinalin.
4- “Ordo Templis Orientis”
OTO (Urdhri i tempullit të Lindjes) fillimisht u modelua si vëllazëri masone, por në drejtimin e të vetëquajturit “bisha e madhe”, Aleister Crowley, filloi të ndiqte parimet e sistemit të tij fetar të quajtur Thelema. Anëtarësimi është sipas disa shkallëve dhe gjatë këtij procesi përdoren shumë rituale. Kjo vëllazëri, aktualisht ka mbi tre mijë anëtarë në gjithë botën. Vetë Crowley ka krijuar një meshë specifike për vëllazërinë. Rituali kryhet sipas një stili të caktuar dhe për këtë përdoren priftëresha të virgjëra, fëmijë dhe priftërinj. Gjatë meshës thërriten zotat e lashtë egjiptianë, si dhe djalli dhe në një pikë priftëreshat kryejnë një ritual të zhveshur.
5- Urdhri hermetik i agimit të artë
Urdhri i Agimit të Artë është krijuar nga dr. William Robert Woodman, William Wynn Westcott dhe Samuel Liddel MacGregor Mathers. Të tre këta kanë qenë fremasonë dhe anëtarë të shoqërisë “Societas Rosicruciana in Anglia”. Sistemi i besimit të Agimit të Artë vjen më së shumti nga misticizmi kristian, hermeticizmi, besimet e Egjiptit të lashtë, alkimia, teozofia, magjia dhe shkrimet e Rilindjes. William Yeats dhe Aleister Crowly janë dy prej anëtarëve më të famshëm të këtij grupi. Dokumentet themelore të urdhrit njihen si Dokumentet e Koduara. Ato përfshijnë 60 faqe që përmbajnë rite magjike.
6- Kalorësit Templarë
Kalorësit Templarë janë një degëzim i masonëve dhe nuk kanë lidhje direkte me Kalorësit Templarë origjinalë, një grup ushtarak fetar i formuar në shekullin e 12-të. Anëtarët e kësaj shoqërie nuk pretendojnë lidhje direkte me vëllazërinë mesjetare, thjesht një huazim simbolesh. Për t’u bërë anëtar i këtij grupi, një person duhet të jetë Mjeshtër mason kristian. Kjo organizatë është e veçantë dhe jo thjesht një shkallë e lartë e masonerisë. Urdhrat e huazuar nga shoqëria mesjetare përshkruhen si “urdhra përkujtimorë” ose gradë. Gjithsesi, disa masonë ose jo të tillë, madje dhe anti-masonët insistojnë se disa rite masonike kanë influencë direkte nga templarët.
7- “The Illuminati”
Një lëvizje mendimtarësh të lirë që ishin dega më radikale e Iluminizmit, pasuesit e së cilës morën emrin “Illuminati” u themelua më 1 maj 1776 në Igolstadt (Bavaria e epërme) nga Adam Weishaupt. Edhe pse ishte ilegale, shumë intelektualë me influencë dhe politikanë progresistë e konsideruan veten anëtarë.
Fakti se kjo shoqëri nuk kërkonte besimin në një qenie supreme e bëri atë të famshme në mes ateistëve. Ka shumë teori konspirative, sipas të cilave “Illuminati” vepron akoma sot e kësaj dite dhe menaxhon veprimet kryesore të qeverive të botës me dëshirën për të krijuar një qeveri mbarë botërore të bazuar në principe humaniste dhe ateiste.
8- Grupi Bilderberg
Ky grup është pak i ndryshëm nga të tjerët sepse nuk ka anëtarësi zyrtare. Anëtarët e këtij grupi janë njerëz me influencë të madhe, të cilët takohen çdo vit në mënyrë sekrete. Çështjet e diskutuara mbahen sekret. Struktura e takimeve i ngjan një konference dhe zakonisht takimet kryhen në hotele me pesë yje në vende të ndryshme të botës. Pjesëmarrja në takim është vetëm me anë të ftesave.
Takimi i parë u krye në vitin 1954 në hotelin “Bilderberg” në Holandë. Edhe pse axhenda dhe lista e pjesëmarrësve është publike, nuk është akoma e qartë nëse këto detaje bëhen të ditura nga vetë grupi apo jo.
9- Paria e Sionit
Pas botimit të librit “Kodi i Da Vinçit” të Dan Brown emri i kësaj shoqërie ka ngjallur shumë kërshëri në mbarë botën. Në fakt, ky grup është krejtësisht fiktiv. Ishte një rreng i krijuar në vitin 1956 nga një pretendent i fronit francez, Pierre Plantard. Letrat ekzistuese që datojnë në vitet ’60 dhe që Plantard, de Cherisey dhe de Sede i kanë shkruar njëri-tjetrit konfirmojnë se të tre ishin përfshirë në këtë rreng, duke përshkruar skemat e mbrojtjes së tyre ndaj kritikave dhe si do të mund ta vazhdonin këtë mashtrim. Pavarësisht kësaj, ka nga ata që besojnë se Paria ekziston dhe funksion edhe në ditët e sotme.
10- “Opus Dei”
“Opus Dei” është një organizatë e kishës Katolike që thekson besimin katolik se jeta e zakonshme është rruga drejt shenjtërisë. Anëtarët e kësaj organizate jetojnë në qendra speciale. Urdhri u themelua në vitin 1928 në Spanjë nga prifti katolik, Josemaria Escriva, me aprovimin a papa Piut XII. Pjesa më e madhe e organizatës prej rreth 87.000 anëtarësh të të dyja gjinive janë njerëz të thjeshtë që drejtohen nga një prelat i zgjedhur nga një mbledhje e përgjithshme e pranuar nga Papa.
11- Asasinët
Asasinët (të varurit nga hashashi), ishin grup misterioz i vrasësve myslimanë të cilët kanë vepruar në Lindjen e Mesme gjatë shekullit XIII. Ajo u themelua nga myslimanët shiitë për të krijuar një shtet utopik shiit. Përdorën taktikat guerile kundër armikut, përfshirë spiunazhin, sabotimet dhe vrasjet politike.
Sipas legjendave, para vrasjes ata do të merrnin hashash, ndërsa udhëheqësit e armikut shpesh zgjoheshin në shtrat me një thikë në jastëk dhe me mesazhin për ekzekutim. Ata kishin një kala të pamposhtur në Iran – Alamutin. Rendin aty e themeloi më 1090 Hasan al Sabah. Kalaja u shkatërrua nga Mongolët më 1256.
12- Katarët
Edhe sot fansat e konspiracionit citojnë fundin e tyre si një nga anët më të errëta të krishtërimit. Por kush ishin vërtet katarët? Gjatë shekullit të 13-të, kryqëzata kundër Albigesëve (qytetarë të një kataretqyteti francez), e drejtuar nga Papa Inoçcenco III, spastroi këtë shoqëri heretike kristiane që jetonin në malet e jugut të Francës. Pse? E thjeshtë: Katarët, adhuronin nocionin e dualizmit, ose ndryshe të idesë se kishte një Zot të mirë dhe një Zot të keq, ata kundërshtonin burokracinë e Kishës Katolike, të cilën e gjykonin si të korruptuar, pasi sipas tyre Kisha kishte rënë nën mëkatin e pushtetit dhe të parasë, ata refuzonin ta adhuronin Zotin në tempuj dhe katedrale. Dhe jo vetëm kaq: Katarët i cilësonin burrat dhe gratë të barabartë dhe në shoqërinë e tyre, gratë kishin pozicione të rëndësishme. Arsye të mjaftueshme për Kishën të niste një kryqëzim dhe t’i zhdukte. Në vitin 1229, të mbijetuarit u konvertuan të gjithë prej Inkuizicionit, për t’u kthyer në legjendë shumë shekuj më pas, për të apasionuarit e Kodit të Da Vinçit. Të konsideruar për një kohë të gjatë si heretikë, sot ata shikohen në një këndvështrim të ndryshëm, edhe sepse Katarët bashkë me thesaret e tyre morën me vete shumë sekrete që nuk mund të gjenden kurrë. Mbas maskës së herezisë që Kisha Katolike iu vuri atyre, shfaqet një civilizim i përparuar, ai i traditës filozofike e shpirtërore, në të cilën përmblidhet misticizmi i Perëndimit e dituria greko-romane.