Nga Etleva Bragjeçi
Në maj të vitit 2013 qeveria Berisha ra dakord për marrjen e 210 muxhahedinëve, ndërkohë që tani qeveria Rama ka rënë dakord që të pranojë edhe 2 mijë muxhahedinë të tjerë, edhe pse ka zëra që ky numër mund të rritet.
Muxhahedinët i përkasin organizatës Mujahedeen-e-Khalq (MEK), e themeluar 50 vjet më parë si një zë kundër dy regjimeve diktatoriale të Iranit. Sipas raportimeve të mediave botërore rezulton se MEK është stërvitur nga Saddam Hussein në guerrilje, luftë urbane, mashtrim, torturë etj. Aktualisht grupimi është rreshtuar me Ushtrinë e Lirë Siriane në Siri duke i dalë kundër regjimit të sotëm të Iranit. Fillimisht Washingtoni e cilësoi MEK-un si një organizatë terroriste, për shkak se kjo e fundit vrau 6 amerikanë në vitin 1970. Por politika e SHBA-ve ndaj MEK ndryshoi pas rënies së Sadam Hussein-it, duke i hequr nga lista e organizatave të huaja terroriste dhe e cilësoi si një grup të vendosur në Lindjen e Mesme dhe që kishin mbështetjen e SHBA-ve. Vendimi u mor nga Sekeretarja e Shtetit, Hillary Clinton, vendim i cili u argumentua me faktin se muxhahedinët kishin hequr dorë nga dhuna e aktet terroriste dhe bashkëpunuan për mbylljen e kampit Ashraf. Elizabeth Rubin, një bashkëpunëtore e “Neë York Times”, e cila ka vizituar në vitin 2003 kampin Ashraf, thotë se veç akteve terroriste kundër regjimit iranian, në të cilat mund të ketë vrarë rreth 12 mijë persona, ky grupim ka vepruar si grup mercenarësh në favor të Sadam Hysseinit, i cili i kishte armatosur dhe i paguante sa herë kishte nevojë për ta. Të njëjtën linjë argumentesh raportojnë edhe një sërë mediash botërore.
Informacionet mediatike dhe historike për këtë grupim japin një panoramë të tyren si grupim terrorist, si një sekt i organizuar rreth kultit të individit dhe liderëve të tij. Kjo do të thotë që muxhahedinët e ardhur dhe ata që pritet të vijnë nuk duhen trajtuar si individë, por si grup me potencial për të qenë i rrezikshëm. Madje, në një intervistë për një nga të përditshmet shqiptare, një prej muxhahedinëve të ardhur në Shqipëri, paralajmëron se duhet patur kujdes me vetë ata (muxhahedinët), pasi përbëjnë rrezik dhe “poshtë fytyrës së tyre fshihen ujqër”, -citohet të ketë thënë muxhahedini i ardhur para disa muajsh në vendin tonë.
Për një vend të vogël si ky i yni, direktivat e Fuqive të Mëdha, e aq më tepër të një superfuqie si SHBA që po komandon botën, janë ligje të pashkruara por që prevalojnë mbi këto të fundit. Janë pak a shumë si një lloj kanuni në vendin tonë, që të gjithë i binden dhe nuk guxon kush ti thyejë rregullat. Ndaj edhe direktivat e SHBA-ve për të strehuar 2 mijë muxhahedinë në Shqipëri, nga pikëpamja gjeopolitike dhe diplomatike është në një farë mënyrë e pakundërshtueshme, dhe pse shumë shtete të tjera, fqinje apo jo, guxuan ta kundërshtojnë këtë direktivë dhe ndoshta në këtë grup shtetesh mund të ishim edhe ne.
Nga ana tjetër, ndaj direktivës së Europës për të hapur kufijtë e për të aplikuar një politikë lehtësuese për emigrantët që po dynden nga shtete të ndryshme, kryesisht ato të Lindjes së Mesme, që janë në konflikte të armatosura e ku u rrezikohet jeta, po dukemi paksa kryeneçë. Kjo kryeneçësi është e justifikueshme, duke marrë parasysh kapacitetet e vendit tonë për të strehuar refugjatët, apo sikundër thotë edhe Kryeministri i Shqipërisë, se vendi ynë nuk e ka luksin për të hapur kufijtë, por ama as nuk do të ndërtohen mure për të ndaluar ardhjen e emigrantëve.
Pikëpamja pragmatiste, se për sa kohë që vetë Europa nuk i hap kufijtë e as Shqipëria nuk ka arsye për ti hapur kufijtë është më se e drejtë dhe legjitime. Por pyetja që unë shtroj është: Përse Shqipëria ndërton kampe për të strehuar muxhahedinët dhe nuk i ndërton për refugjatët? Përse ne i hapim dyert një grupimi me rrezikshmëri të lartë për vendin tonë por edhe më gjerë dhe nuk i hapim dyert për ata që ikin nga lufta e mjerimi? Jo se vendi ynë është më i begatë, por të paktën mund të mbijetosh e tu shpëtosh plumbave të luftës që gëlojnë çdo ditë në konfliktet e armatosura në Lindjen e Mesme. Përse Shqipëria mundi të përballojë valën e refugjatëve të vëllezërve e motrave tona në kohën e Luftës së Kosovës, kur nga çdo pikëpamje Shqipëria nuk kishte më shumë kapacitete dhe nuk ishte më e fuqishme se kjo e sotmja dhe nuk mundet ti hapë kufijtë tani? Natyrisht që ndjeshmëria për vëllezërit tanë kosovarë është shumë herë më e madhe dhe as që mund të krahasohet me ndjeshmërinë që ne kemi për refugjatët e vendeve të tjera, por tek e fundit të gjithë janë qënie njerëzore!
Përse Europa i hapi dyert qindra-mijëra apo miliona shqiptarëve, që turreshin të iknin nga sytë këmbët me gomone, anije, maune apo çdo lloj mjeti tjetër vetëm pak kohë pasi u hapën kufijtë e Shqipërisë? Përse Shqipëria duhet ti hapë dyert atyre që mund të minojnë sigurinë e vendit tonë dhe mos tu hapim dyert atyre që ikin pikërisht nga përpjekja për të shpëtuar vetëm jetën e tyre dhe të fëmijëve të tyre, asgjë më tepër!
Shqipëria nuk i ka kapacitetet për të strehuar qindra-mijëra emigrantë që dynden çdo ditë drejt kufijve të Europës dhe Ballkanit. Shqipëria ka me mijëra qytetarë të saj që janë të papunë e nuk kanë mbase me çfarë të ushqejnë fëmijët; Shqipëria ka më shumë se gjysmën e popullsisë së saj jashtë kufijve, në emigrim. Mirë apo keq, me apo paragjykime, me apo pa tortura, me apo pa racizëm, shqiptarëve iu hapën dyert në Greqi, Itali, Gjermani, Angli, SHBA, Turqi etj dhe sot e kësaj dite emigrantët shqiptarë janë burimi kryesor i të ardhurave për shumicën e familjeve në Shqipëri.
Ndaj është radha e Shqipërisë tani të bëjë rolin e mikut dhe të mirëpresë me “bukë e kripë e zemër të bardhë” siç thonë shqiptarët!
Nuk do të doja që Shqipërisë sonë plot mundime, ti shtoheshin edhe ca halle më tepër me ardhjen e refugjatëve. Por në kujtesën time dhe të të gjithëve ne kanë mbetur imazhet e qindra-mijëra shqiptarëve, të cilët tentonin të iknin nga mjerimi për një jetë më të mirë. Shumë herë kjo arrati mbeti në mes për dhjetëra shqiptarë të tjerë që u mbytën në det apo mbetën rrugëve të maleve, në tentativë për të kapërcyer kufijtë. Atëherë isha vetëm një fëmijë dhe pamjet e të afërmve tanë e ato çfarë dëgjonim prej tyre, kur je fëmijë nguliten thellë në memorie për të mos u zhdukur mbase kurrë. Nuk mundet të bëjmë sikur harrojmë tani që ne jemi rritur, edhe Shqipëria është pak më e rritur…Më mirë të strehojmë ata që janë sot siç ishim ne dje, thjeshtë emigrantë; më mirë të strehojmë ata të cilët nuk na rrezikojnë sesa ata prej të cilëve nuk e dimë se ç’mund të presim…!