Nga Eduard Zaloshnja
Fabian Kati, një student shqiptar i viteve ’90 në Itali, e mbrojti atje gradën Master me një disertacion mbi marrëdhëniet Italo-Shqiptare të viteve ’20 të shekullit të kaluar. Studimi i tij i thellë, ndoshta më i thelli për ato marrëdhënie, ka një kapitull tejet interesant për çështjen e naftës që ishte zbuluar atëherë në Shqipëri. Që ndoshta shpiegon edhe pse ngjarjet kanë patur atë rrjedhë që kanë patur në Shqipërinë e 100 vjetëve të fundit…
Pas Kongresit të Lushnjës, kur Tirana u bë kryeqytet dhe shteti shqiptar filloi të vendosë autoritetin e tij në të gjithë territorin e njohur ndërkombtarisht nga Konferenca e Londrës, Italia, Greqia dhe Mbretëria e Sllavëve të Jugut ishin në konkurencë mes tyre, me synimin për të gllabëruar apo kontrolluar copa të shtetit shqiptar në krijim. Dhe sipas studimit të Katit, në mes të tyre papritur u shfaq Britania e Madhe, përmes Kompanisë Anglo-Persiane të naftës.
Anglo-Persian Oil Company (APOC) ishte një kompani britanike e themeluar në vitin 1909 pas zbulimit të një fushe të madhe nafte në Masjed Soleiman, Persi (Iran). Qeveria britanike bleu 51% të kompanisë në vitin 1914, duke siguruar kështu një numër kontrollues aksionesh. Kjo ishte kompania e parë që nxori naftë nga Irani. Në vitin 1954, ajo u riemërua në “British Petroleum Company”, e cila në bashkëpunim me Shell, ka zbuluar në ditët e sotme naftë cilësore në Malin e Shpiragut…
Para 100 vjetësh, nuk ekzistonte teknologjia e sotme e shpimeve në thellësi, dhe nafta ishte gjetur vetëm në ultësirat e Kuçovës e Marinzës. Sasia e naftës ishte premtuese, por cilësia e saj ishte dekurajuese – kishte përmbajtje të lartë squfuri. Sidoqoftë, qeveria britanike u përpoq të merrte një koncension ekskluziv për kompaninë anglo-persiane, që të eksploronte e shfrytëzonte naftën në të gjithë territorin e Shqipërisë.
Pavarësisht nga zvarritjet burokratike e politike të shtetit të ri shqiptar, Kompania Anglo-Persiane bëri kërkimet e saj paraprake edhe gjatë kohës që në Shqipëri bëheshin kryengritje e kundër-kryengritje, revolucione e kundër-revolucione. Dhe kur Ahmet Zogu vendosi kontroll të plotë mbi shtetin dhe territorin (duke u zgjedhur edhe President i Republikës më janar 1925), i vuri objektiv vetes që të materializonte koncesionin ekskluziv të naftës me Kompaninië Anglo-Persiane, e cila ishte praktikisht në pronësi të qeverisë britanike.
Të ardhurat që mund t’i vinin buxhetit nga ai koncension do t’i jepnin mundësinë Zogut që mos t’ia shtrinte dorën as Mbretërisë së Sllavëve të Jugut (që e kishte ndihmuar të vitne në pushtet më dhjetor 1924), as Greqisë (që bënte presion ndërkombëtar për Vorio Epirin), dhe as Italisë (që synonte dominimin e Adriatikut jugor). Por Kompania Anglo-Persiane, pas shumë kërkimeve paraprake, arriti në konkluzionin se nafta shqiptare ishte e një cilësie shumë të dobët në thellësitë që mund të eksploroheshin deri në atë kohë. Si rrjedhojë, qeveria britanike humbi çdo interes strategjik për Shqipërinë, duke u fokusuar kryesisht tek Greqia, si pikë kyçe për kontrollin detar të Mesdheut Lindor.
Ahmet Zogu bëri edhe një përpjekje të fundit për të gjetur një linjë të pavarur finiacimi për shtetin e ri shqiptar, duke iu lutur Ligës së Kombeve në Gjenevë për ndihma financiare afatgjata, por SHBA ishte tërhequr në një kurs izolacionist atëherë, dhe nuk e ndihmoi Shqipërinë e vogël, siç e kishte ndihmuar në kohën e Presidentit Uillson. Dhe më në fund, mes ndihmës financiare sllave, greke e italiane, Zogu zgjodhi këtë të fundit…
Me pak fjalë, nga studimi i Katit, mund të konkludohet se, sikur një naftë me cilësinë e asaj të Shpirgut të ishte zbuluar në ultësirën perëndimore 100 vjet më parë, rrugëtimi i shtetit shqiptar do të kishte qenë krejt i ndryshëm. Shqipëria do të konsiderohej një aleate strategjike e Britanisë së Madhe para, gjatë dhe pas luftës së dytë botërore. Dhe me gajsa të mëdha, do të kishte përfunduar në kampin perëndimor të hartës së Europës, që thuhet se vizatuan Stalini dhe Çurçilli në Jaltë…