Emilia Koliqi, Deputete e Partisë Demokratike për Qarkun e Shkodrës akuzon qeverinë se nuk e ka në prioritet zhvillimin e veriut të vendit.
Duke sjell si argument aksin rrugor të pa përfunduar ende, që lidh Shëngjinin me Velipojën, Koliqi nënvizon se rruga duhej të përfundonte për 12 muaj, por kjo gjë nuk ka ndodhur.
“Rruga aq shumë e propaganduar si riviera veriore, që do të lidhte dy zonat turistike, Shëngjinin me Velipojën, RRUGA SHËNGJIN-RANA E HEDHUN- BAKS RRJOLL për të tretin vit radhazi, mbetet një kantier i braktisur”, shprehet Koliqi.
“Rruga duhej të përfundonte për 12 muaj. Në muajin prill, para zgjedhjeve lokale, u miratua edhe fondi i shpronësimit, mungesa e të cilit, gjoja, paska qenë arsyeja e ndërprerjes së punimeve.
Zgjedhjet kaluan, afati i zbatimit të vendimit të qeverisë ka përfunduar, por punimet nuk rifillojnë.
Rruga financohet nga Banka Evropiane për Rindërtim dhe Zhvillim (BERZH), në kuadrin e Programit të Rrugëve Lidhëse Rajonale dhe Lokale me objektiv: Përmirësimin e aksesit në qendrat e përzgjedhura turistike, me afat zbatimi 2018-2022.Por zhvillimi i veriut nuk është prioritet për qeverinë e për më tepër kur bëhet fjalë për turizëm”, përfundon Koliqi.
/a.r