Dhjetra video tregojnë përvojën në destinacionin më të njohur veror të 2023. Por si qëndron e vërteta?
Që nga lajmi se në vitin 2023 brigjet shqiptare “pushtohen” nga turistë italianë, në kërkim të një udhëtimi me kosto të ulët, vëmendja ndaj Shqipërisë është rritur në mënyrë dramatike. Në rrjetet sociale vërshojnë histori dhe dëshmi, duke treguar anët pozitive të “El Dorados” së re të turizmit, por edhe ato negative. Dhe, siç ndodh shpesh në këto raste, diskutimet kthehen në përplasje të vërteta.
“Det i bukur, çmime të ulëta”. Etiketa e ëndrrave, me të cilën Shqipëria është kthyer në qendër të çdo diskursi në pushimet verore. Por a është vërtet kështu? Varet. Madje, në rrjetet sociale shumë persona tregojnë përvojën e tyre, duke konfirmuar edhe të mirat që janë thënë. “Çadra në rreshtin e parë 10 euro, më sjellin kafe sa jam në shezlong dhe paguaj vetëm 2 euro”, komenton një italian i entuziasmuar.
“Ata që kritikojnë Shqipërinë, është sepse nuk kanë qenë atje”, thotë një tjetër. Dhe përsëri: “Mjaft injorantëve që kritikojnë Shqipërinë, nëse nuk ju pëlqen, rrini në Itali. Është më mirë këtu”.
Debat i zjarrtë
Thjesht vendosni kërkimin #Albania në TikTok, për të pasur dhjetëra shembuj të këtij lloji. Një i ri nga vendi i përgjigjet një turisti italian që dokumentoi “detin e pistë dhe plazhin e mbushur me njerëz”.
“Është e qartë se je ende i dehur nga një natë më parë – thotë ai – po thua një tufë gënjeshtrash”.
Atëherë kush ka të drejtë? “Realiteti është se varet se ku shkoni – komenton një tjetër italian që ishte me pushime në Shqipëri. Këtu ka shumë zgjedhje, por duhet të keni kujdes. Disa vende, ato më të kërkuarat, kanë çmime të larta dhe është e lehtë të zhgënjehesh. Por është plot me parajsë”.
Me pak fjalë, e vërteta qëndron diku në mes. Megjithatë, nuk është e vështirë të gjesh shumë shembuj të videove totalisht negative.
“Miq shqiptarë, mos u zemëroni me fenomenin e momentit, jetoni në një vend fantastik”, thotë në një video influencuesja Simone Coccia. Një gjë është e sigurtë, napolitanët janë të çmendur pas Shqipërisë. “A ka ndonjë venecian këtu? Unë shoh vetëm njerëz nga Napoli”, komenton me ironi një vajzë. Suksesi i Sarandës dhe qyteteve të tjera shqiptare është edhe falë tyre.
/a.r