Nga Namir Lapardhaja
Ndonëse nuk duhet të jemi pengje të së kaluarës, është një realitet i pamohueshëm historik fakti se grekët nuk janë sjellë shpeshherë aq miqësor me shqiptarët. Jo vetëm gjenocidi dhe dëbimi i popullsisë çame nga trojet e tyre, mosnjohja e së drejtës universale të pronës, pushtimi i Gjirokastrës dhe Korçës, ardhja e tyre deri në Berat, masakrat e andratëve grekë, të ndihmuar edhe nga disa gjakëprishur shqiptarë, në vitin 1914, por edhe bombardimi i disa institucioneve të kultit islam në vitin 1940 gjatë luftës italo-greke, janë fakte historike të njohura.
Për të mos folur pastaj për dhunën e ushtruar nga ushtria dhe policia fqinje ndaj emigrantëve shqiptarë, që ishin të detyruar të kalonin kufirin maleve, në kushte ekstremisht të vështira, apo operacionet e shpeshta “fshesa”, ku qindra dhe mijëra familje shqiptare dëboheshin pa asnjë lloj motivacioni nga shteti fqinj vetëm për shkak të humorit të prishur të politikanëve në Athinë.
Edhe pse në ditët e sotme do dukej një herezi, militantëve të verbër do t’u hidhej hi syve dhe do t’u bëhej “magji” për të mos e kujtuar atë ngjarje, në zgjedhjet lokale të vitit 2003, PD-ja e drejtuar nga Sali Berisha ka bërë thirrje që në Himarë të votohet kandidati i Partisë Socialiste. Dhe shumë mirë ka bërë, sepse ka mbajtur një standard që i tejkalon ndasitë politike mes veti, ndërsa ka menduar për të mirën dhe kohezionin kombëtar.
Nuk dua të flas këtu për “standardin” e sotëm në këtë drejtim, sepse vetëm fakti i kandidimit të një personazhi me shumë dritëhije si F. Bejleri, e ka hedhur poshtë çështjen kombëtare dhe ka tentuar sërish për t’i hedhur benzinë zjarrit të mërive të vjetra dhe për të shtuar probleme të reja, që kanë të bëjnë me rrugën e integrimit dhe më vështirësitë që mund të hasë vendi ynë në këtë drejtim.
Por fatmirësisht që Shqipëria nuk është ajo e dikurshmja dhe Greqia nuk ka më peshën dhe rëndësinë e atëhershme në politikën evropiane, sepse sa herë që gjakëprishur të tillë tentojnë të ndezin shkrepset e përçarjes, është Shqipëria dhe shqiptarët ata që vuajnë.
Ndofta dikujt do t’i dukeshin absurde diskutimet e çështjes kombëtare në vitin 2023, por, kurrsesi, nuk janë të atilla për sa kohë që ende vijojnë të ecin të pashqetësuar rrugëve të qyteteve tona njerëz që pretendojnë se vorio-epiri shtrihet deri në Berat, të cilët nderohen, respektohen dhe nuk kanë asnjë ndrojtje për t’i shprehur publikisht në rrjetet sociale këto mendime apo kur rrugëve të lagjeve tona u vendosen emra të personazheve, të cilët dokumentet historike i kanë damkosur si tradhëtarë, si spiunë të grekëve apo si njerëz që kanë punuar vazhdimisht nën rrogoz kundër çështjes kombëtare.
Ndaj edhe në rastin e fundit në Himarë politika shqiptare duhet të ishte e bashkuar me standardin e vitit 2003, për të mos hapur një vatër të re sherri të panevojshëm, as për shqiptarët, as për grekët.
Shqipëria do duhej të ishte mbi çdo ndasi politike.