Prokuroria e Posaçme (SPAK) dhe Gjykata e Posaçme (GJKKO) kanë dalë me dy kërkesa sa i takon dosjes së shumëpërfolur të sterilizimit.
E para ka kërkuar akt ekspertim të kompjuterit, telefonit dhe i-Padit të sekuestruar në banesën e ish-zëvendësministrit të Shëndetësisë, Klodian Rjepaj.
Ai u arrestua më 17 gusht dhe akuzohet se ka shpërdoruar detyrën dhe ka falsifikuar dokumentet në procedurën e koncesionit për sterilizimin.
Ndërkaq GJKKO ka kërkuar shpalljen e pavlefshme të kontratës së sterilizimit, pas shkeljeve që u konstatuan nga SPAK.
Gjykata i kërkon ILDKP-së “marrjen e masave për ndjekjen e rrugës ligjore për konstatimin e pavlefshmërisë së kontratës koncesionare datë 2 dhjetor 2015 të lidhur mes Ministrisë së Shëndetësisë, përfaqësuar nga Ministri Z.Ilir Beqaj dhe shoqërisë “SaniService” sh.p.k. të përfaqësuar nga administrator Admir Daca”.
Nga ana tjetër, hetuesit kanë shpresë se nga pajisjet elektronike mund të gjenerojnë të dhëna të tjera shtesë për këto hetime, të cilat vijojnë të jenë të hapura edhe për disa ish-zyrtarë të tjerë.
Këtu përfshirë edhe ish-ministrin e Shëndetësisë, Ilir Beqajn, dhe ish-ministrin e Financave, Shkëlqim Canin.
Ndërkaq SPAK ka vërtetuar se ish-zëvendësministri i Shëndetësisë, Klodian Rjepaj, ka pasur njohje me biznesmenin e kompanisë fituese të koncesionit të sterilizimit.
Kjo ndryshe nga sa dy të pandehurit kanë deklaruar.
Rjepaj dhe Rrapaj kanë përfunduar studimet së bashku në fakultetin e Mjekësisë në vitet 1991-1994.
Sipas hetimeve, biznesmeni përdorte makinën e ish-zëvendësministrit të Shëndetësisë për të dalë jashtë Shqipërisë.
Madje në dosje shkruhet se Rrapaj dilte jashtë vendit me makinën që drejtohej nga shoferi i zëvendësministrit.
Jo vetëm kaq, ai ka udhëtuar dhe me ish-ministrin e Shëndetësisë, Ilir Beqja.
“A.LL drejtor në kompaninë koncesionare Saniservice përfundoi studimet bashkë me Rrapaj e Rjepaj. Njohjen mes Rrapaj dhe Rjepaj e konfirmoi një studente tjetër e atyre viteve me inicialet D.N”.
Ndërkaq Gjykata e Posaçme Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar ka lënë në fuqi të tetë masat e kërkuara nga Prokuroria e Posaçme, SPAK.
Një ditë më parë, SPAK ka lëshuar një mori urdhër-arrestesh, sa i takon një çështjeje tepër të nxehtë, e cila lidhet me dosjen e njohur si “Koncesioni i sterilizimit”, ku në pranga kanë përfunduar aktualisht ish-zëvendësministri i Shëndetësisë, Klodian Rjepaj, si edhe biznesmeni fitues i tenderit, Ilir Rrapaj.
I pari, i akuzuar për shpërdorim detyre dhe i dyti, për mashtrim me pasoja të rënda.
Rrapaj përftoi tenderin me vlerë 100 milionë euro, për ngritjen e një qendre sterilizimi në QSUT, e cila kurrë nuk mori jetë.
Megjithatë, të tjerë persona janë po ashtu të përfshirë në ngjarje.
Në arrest shtëpie, me urdhër të SPAK, janë lënë edhe drejtori ekonomik i Ministrisë, Saimir Kadiu, si edhe drejtoresha juridike, Marsela Serjanaj.
Ka ndërkohë edhe disa urdhra për detyrim paraqitje, ku përfshihet edhe Rektori i Universitetit të Mjekësisë, njëkohësisht shefi i kirurgjisë pranë QSUT, Arben Gjata.
Po ashtu, detyrim paraqitje ka edhe për shtetasit Pertef Mersini, Genc Burazeri dhe Naile Ajazi.
Mes tetë personave ndaj të cilëve Prokuroria e Posaçme SPAK lëshoi urdhër-arreste ishte dhe Klodian Rjepaj, ish-zëvendësministri i Shëndetësisë në kohën kur tenderi u miratua dhe iu dha biznesmenit Ilir Rrapaj.
Ky i fundit, po ashtu u arrestua nga SPAK, nën akuzën e mashtrimit me pasoja të rënda, kur mbi Rjepajn rëndon akuza e shpërdorimit të detyrës.
Por kush është ai dhe çfarë përfaqëson në politikën shqiptare?
Rjepaj është personi kryesor i lidhur me ngjarjen, pasi ka qenë në krye të komisionit të prokurimit publik në shkurt 2013, kur gara për koncesionin 100 milionë eurosh u hap.
Në vitin 2016, ai u mor në pyetje nga Prokuroria e Tiranës për tre koncesionet e dhëna nga Ministria e Shëndetësisë, ku Rjepaj mbante pozitën e zëvendësministrit, nën ministrin e asaj kohe, Ilir Beqja.
Prokuroria e Tiranës deklaroi atëherë se kontrata e sterilizimit nuk kishte elemente të veprës penale dhe e mbylli dosjen, por hetimi rinisi pas 3 vitesh kur Nisma Thurje që dërgoi një denoncim në SPAK-un e sapokrijuar.
Rjepaj në fakt erdhi në atë pozitë falë Lëvizjes Socialiste për Integrim, e cila në atë kohë, me koalicionin që bëri me Partinë Socialiste, mori përtej pesë ministrive, edhe shtatë poste zëvendësministrash (një prej të cilëve u emërua Rjepaj).
Ministri i Shëndetësisë Ilir Beqaj kishte 2 zv.ministra, përkatësisht ish-drejtoresha e INSTAT-it, Milva Ekonomi, si dhe koordinatorin e Programit Kombëtar HIV/AIDS, Klodian Rjepaj.
Klodian Rjepaj ka mbajtur dhe postin e shefit të kabinetit të ish-ministrit të Shëndetësisë Petrit Vasili, në 2009 – 2012, si dhe ka qenë kryetar i Komitetit Koordinues për luftën kundër HIV/AIDS dhe Tuberkulozit në Shqipëri.
Rjepaj qëndroi në detyrë deri në vitin 2017.
Ndërsa, tashmë, përballet me akuza të rënda nga SPAK dhe mund të jetë vetëm maja e ajsbergut në një sërë arrestimesh të lidhura me shëndetësinë.
Në bazë të akuzës zyrtare nga SPAK, Rjepajt i jepet masa “arrest me burg”, si i dyshuar për veprat penale “Falsifikim i dokumentave” e kryer në bashkëpunim e nga personi që ka për detyrë ta lëshojë dokumentin dhe “Shpërdorimi i detyrës” kryer në bashkëpunim, të parashikuara nga nenet 186/3 – 25 dhe 248 – 25 të Kodit Penal.
Për biznesmenin Rrapaj, si i dyshuar për veprën penale “Mashtrimi”, me pasoja të rënda, parashikuar nga neni 143/3 i Kodit Penal.