Mbledhja e Nënkomitetit të 8-të për Drejtësi, Liri dhe Siguri mes BE-së dhe Shqipërisë u mblodh më 3-4 mars në Tiranë. Përfaqësues nga Komisioni Evropian punuan me autoritetet përkatëse shqiptare për zhvillimet më të fundit në fushën e drejtësisë, lirive themelore, punëve të brendshme dhe çështjeve të sigurisë. Takimi u bashkëdrejtua, për BE-në nga Michela Matuella, Shefe e Njësisë për Shqipërinë dhe Bosnje dhe Hercegovinën në Drejtorinë e Përgjithshme për Politikat Evropiane të Fqinjësisë dhe Negociatat e Zgjerimit të Komisionit Evropian, dhe për Shqipërinë nga z. Sokol Mici, Shefi i Kabinetit të Ministres së Integrimit Evropian.
Dy delegacionet rishikuan në detaje gjithë progresin e fundit të bërë nga Shqipëria në përmbushjen e objektivave që ishin caktuar nga BE-ja për të hapur negociatat e anëtarësimit në kuadrin e të ashtuquajturave Përparësi Kyçe. Angazhimi teknik në këtë kontekst ka siguruar edhe një mundësi të mirë për të diskutuar për përgatitjen e Dialogut të ardhshëm të Nivelit të Lartë, që do të zhvillohet në Tiranë, më 30 mars 2016 dhe që do të bashkëdrejtohet nga z. Johannes Hahn, Komisioner i BE-së për Politikat Evropiane të Fqinjësisë dhe Negociatat e Anëtarësimit, dhe nga Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama.
Autoritetet shqiptare bënë një përmbledhje të arritjeve të fundit në sektorët e shtetit ligjor, veçanërisht në luftën kundër trafikut të drogës, azilit dhe migrimit, menaxhimit të kufijve dhe politikës së vizave, bashkëpunimit policor dhe luftës kundër krimit të organizuar, terrorizmit, korrupsionit, reformës në drejtësi, si dhe të drejtave themelore.
Përfaqësuesit e Komisionit Evropian rikujtuan gjetjet kryesore të raportit për Shqipërinë 2015, që vinte në dukje progres të qëndrueshëm në të gjitha reformat prioritare dhe më pas përgëzonte angazhimin e autoriteteve shqiptare për të vazhduar më tej me arritjet e agjendës së reformave.
Komisioni theksoi në veçanti se konsolidimi i pavarësisë, përgjegjshmërisë, efikasitetit dhe profesionalizmit të përgjithshëm nëpër të gjithë sistemin e drejtësisë do të jetë një gur themeli për rrugën e pakthyeshme të shtetit ligjor në vend. Në këtë kontekst, Komisioni përsëriti rëndësinë e përgatitjeve në vijim të paketës së reformës në drejtësi, për t’u finalizuar në përputhje me rekomandimet e Komisionit të Venecias dhe pastaj për të hyrë në procedurën parlamentare në kohën e duhur. Përtej gjyqësorit, Komisioni nënvizoi se duhet dëshmuar progres i vazhdueshëm dhe i qëndrueshëm në të gjitha fushat e tjera, përfshirë përmes arritjes së rezultateve konkrete operative në luftën kundër krimit të organizuar dhe korrupsionit, si dhe për çështjet e të drejtave të njeriut dhe të drejtat e pronës.
BW