Për të katërtin vit radhazi krahina e Mokrës në rrethin e Pogradecit shpalos vlera unike të historisë dhe traditës në një festë që bashkon vendasit me turistët shqiptarë e të huaj.
Për studiuesin Ledjan Zeqollari, Mokra me varret monumentale Ilire, Urën e Golikut, si dhe shumë fshatra që kanë pasur kulmin e zhvillimit në fundin e shekullit të 16-të, ka tërhequr gjithnjë e më shumë interes në vitet e fundit.
LEDJAN ZEQOLLARI
STUDIUES
“Në Mokër gjenden mjaft monumente shumë të rëndësishme të kategorisë së parë sikurse është Ura e Goikut afër së cilës ndodhemi sot, varret monumentale të Selcës së Poshtme, Ura e Terziut, manastiri i Shën Marenës etj..Të gjitha këto përbëjnë një mozaik shumë të veçantë etnokulturor. ”
Problemet me infrastrukturën vijojnë të mbeten një sfidë shumë e madhe që e paralizon krahinën në çdo stinë të vitit. Këtë e pranon edhe kryebashkiaku i Pogradecit, Ilir Xhakolli.
ILIR XHAKOLLI
KRYETAR I BASHKISË POGRADEC
“E kemi në plan që kjo festë të jetë shëtitëse në zona të ndryshme të Mokrës por për shkak të mungesës së infrastrukturës kemi dy vjet që e organizojmë në Golik.”
Gatimet tradicionale ku nuk mund të lihet pa përmendur kulaçi dhe lakrori, janë një pasuri unike e zonës.
“Kemi sjellë pekmez, narden, raki rrushi, djathë, lakror me hithra, me presh, kulaç dhe gatime të tjera që i kemi bërë vetë dhe janë produkte fshati.”
Së fundmi, në degëzimin e lumit Shkumbin ka gjetur terren edhe zhvillimi i packrafting.
“Është një risi jo vetëm për Pogradecin por edhe për rajonin. Pekrafting është një ndërthurje me shëtitjet në natyrë, hiking me lundrimin në lumë kur është e mundur.”
“Mokra n’fest” po shndërrohet në një traditë shumë të mirë për promovimin e turizmit në këtë krahinë, ndërsa çdo vit rritet numri i atyre që i bashkohen.
/a.r