Ministri i Brendshëm Taulant Balla ka përgëzuar sukseset e strukturave të Policisë së Shtetit në kuadër të operacioneve antikanabis të zhvilluara në të gjithë vendin, ku u asgjësuan 24,220 bimë narkotike.
Përmes një postimi në rrjetet sociale, Balla deklaron se lufta kundër kultivimit të lëndëve narkotike vijon çdo ditë.
Sipas Ballës, qytetarët presin pastrim të territorit nga kultivimi i paligjshëm i bimëve narkotike.
“Lufta kundër kultivimit të lëndëve narkotike vijon çdo ditë. Shqiptarët presin një pastrim të territorit nga kultivimi i paligjshëm i bimëve narkotike. Kultivimi i paligjshëm i kanabisit ka qenë një burim financash për organizatat kriminale, i cili duhet shuar përfundimisht”, shkruan Balla.
Gjatë 72 orëve të fundit, policia ka asgjësuar në total rreth 24 220 bimë kannabis sativa dhe është sekuestruar 29 kg lëndë narkotike kanabis në Pukë. Për këto raste janë shpallur në kërkim dy shtetas dhe është proceduar penalisht 1 kryeplak fshati si dhe vijon puna intensive për identifikimin dhe kapjen e autorëve të tjerë.