Ish-presidenti i Brazilit, Luiz Inacio Lula da Silva, ka përfunduar në pranga si pjesë e një hetimi të madh për mashtrim me kompaninë shtetërore të naftës Petrobras.
Shtëpia e ish-Presidentit u bastis nga agjentët e policisë federale, teksa ai u mor me forcë për t’u marrë në pyetje. Lula që la postin në vitin 2011, ka mohuar akuzat.
Ai është i famshëm për jetën e tij modeste, pasi pjesën më të madhe të pagës e jepte për të varfrit, por pesë vite nga lënia e postit përfundon i arrestuar. Lula njihet si një ish-komunist i frymëzuar nga komunizmi shqiptar, ku ka qene dhe per studime prane Shkolles se Partise për gati gjashtë muaj.
Hetimet e gjera për korrupsion kanë arrestuar dhjetëra persona, ndërsa në aksion janë angazhuar 200 agjentë policie federale në shtetet e Rio de Janeiro, Sao Paulo dhe Bahia.
Banesa e ish-Presidentit është bastisur mëngjesin e së premtes.
Nga hetimet dyshohet se një kompani ndërtimi ka ndihmuar ish-Presidentin për zhvillimin e një ferme dhe blerjen e një apartamenti kundrejt favoreve në kompaninë shtetërore të naftës.
Dhjetëra drejtues dhe politikanë janë arrestuar apo janë nën hetim nën dyshimin e përfshirjes në afera korruptive nëpërmjet kontratave me kompaninë “Petrobras”.
Lula, nga Partia e Punëtorëve, ka shërbyer dy mandate si president dhe u pasua në detyrë nga Dilma Rousseff, thuajse e varur prej tij.
Ai udhëhoqi Brazilin gjatë një periudhe të rritjes së shpejtë ekonomike dhe heqjen nga varfëria të miliona njerëzve.
Ai është ende një figurë e pëlqyer, por popullariteti i tij është goditur nga akuzat e fundit.