Një 12-vjeçar shqiptar ka mbërritur në spital në Kretë me plagë, teksa ka raportuar abuzim nga babai dhe njerka.
Përveç plagëve, mjekët kanë konstatuar se fëmija ishte nën peshë dhe kanë njoftuar menjëherë policinë duke nisur hetimet për rrethanat në të cilat është plagosur.
Fëmija 12-vjeçar është dërguar në PAGNI me lëndime në fytyrë, konkretisht në vesh. Ngjarja është regjistruar të shtunën e kaluar.
Gjatë shtrimit në spital, fëmija u ka thënë mjekëve se është goditur nga prindërit dhe për shkak të këtyre goditjeve kanë ardhur edhe dëmtimet. Gjithashtu theksohet se përveç plagëve, nga mjekët fëmija është konstatuar edhe nën peshë për moshën 12-vjeçare.
Mjekët menjëherë kanë njoftuar policinë për ngjarjen dhe kanë nisur hetimet për rrethanat në të cilat mbeti i plagosur fëmija. Ngjarja ka ndodhur në një fshat në Vianno të Heraklionit, në një familje shqiptare, por policia nuk i ka arrestuar autorët pasi kishte skaduar koha kur fëmija denoncoi ngjarjen.
Prindërit e fëmijës sipas mediave greke janë me origjinë shqiptare dhe sipas flashnews, babai i fëmijës jeton me partneren e tij.
Tashmë për ngjarjen është njoftuar prokurori, ndërsa çështja është në fazën e deponimit. Gjithsesi fëmija është në gjendje të mirë, megjithatë sipas informacioneve të mediave vendase ai vazhdon të qëndrojë në Klinikën Psikiatrike të Pediatrisë të Spitalit Universitar deri në zbardhjen e rastit./f.stafa