Armë bërthamore në rast agresioni! Kjo ishte përgjigja e Presidentit të Bjellorurisë, Alexandër Lukashenko në një intervistë televizive, kur u pyet mbi tensionet në rritje rreth kufijve të vendit të tij me ato të NATO-s.
Minsku ka luajtur një rol kyç në luftën e Rusisë në Ukrainë, me Moskën që e ka përdorur Bjellorusinë si një nga pikat e saj të nisjes për pushtimin në fillim të vitit 2022.
Sipas presidentit rus Vladimir Putin, në qershor raketat bërthamore ruse iu dorëzuan Bjellorusisë dhe Lukashenko tani beson se Bjellorusia do të ishte e gatshme t’i përdorte përballë “agresionit” të huaj.
Në një intervistë me agjencinë shtetërore të lajmeve Belta, Lukashenko pohoi se “Bjellorusia nuk do të përfshihet kurrë në këtë luftë” nëse ukrainasit nuk e kalojnë kufirin e tyre.
Por ai e qartësoi edhe njëherë mbështetjen e tij për pushtimin e Putin.
“Ne do të vazhdojmë të ndihmojmë Rusinë, ata janë aleati ynë”.
“Do të përgjigjemi menjëherë me gjithçka që kemi”, ishte sakaq paralajmërimi i tij për një provokim të mundshëm, veçanërisht nga vendet fqinje të NATO-s si Polonia, Lituania dhe Letonia.
“Ne nuk do të vonojmë, të presim dhe të tjerët. Ne do të përdorim të gjithë arsenalin e armëve tona për parandalim Ne nuk sollëm armë bërthamore këtu për të trembur dikë. Armët bërthamore përfaqësojnë një faktor të fortë pengues, por këto janë armë bërthamore taktike, jo strategjike. Kjo është arsyeja pse ne do t’i përdorim ato menjëherë pasi të nisë agresioni kundër nesh.”
Alexander Lukashenko
Ndërkohë, Perëndimi nuk beson se Lukashenko ka ndodnjë kontroll mbi arsenalin bërthamor, i cili me shumë gjasa kontrollohet tërësisht nga Rusia edhe pse në territorin bjellorus.
Lukashenko gjithashtu foli për luftën në Ukrainë, duke paralajmëruar se Moska nuk do të heqë kurrë nga territori i Krimesë që aneksoi më shumë se shtatë vjet më parë.
“Nuk do ta kthejë kurrë Krimenë. Nuk do të ndodhë. Tani për tani dyshoj se mund të arrihet ndonjë marrëveshje këtu, në lindje. Por Rusia është e gatshme të diskutojë çdo temë. E di me siguri”, tha Lukashenko ku u pyet nëse Putin është i gatshëm të hyjë në negociata për paqen.
Sipas tij, Kievi “i shtyrë nga amerikanët” nuk do të negociojnë për momentin. Lukashenko gjithashtu u shpreh se çdo bisedë paqeje për Ukrainën duhet të përfshijë Bjellorusinë.
“Ne kemi interesat tona atje dhe qëndrimi ynë duhet të dëgjohet”, shtoi ai.
/a.r