Antidroga greke ka arrestuar një shtetas shqiptar në Aeroportin e Athinës, “Eleftherios Venizelos”, pasi ka verifikuar se ka qenë marrësi i dy pakove, të cilat përmbanin 13 kilogramë kokainë.
Bëhet fjalë për një 43-vjeçar, emri i të cilit ende nuk publikohet, për arsye se ende vazhdojnë hetimet.
Sipas burimeve policore, ai është pjesëtar i një rrjeti të madh trafikantësh të lëndëve narkotike dhe për të njëjtën çështje janë shpallur në kërkim dy bashkëpunëtorë të tij, edhe ata shtetas shqiptarë.
Antidroga greke ka marrë informacione nga organet policore të Gjermanisë, të cilat bënin me dije se kishin zbuluar dy pako postare me lëndë narkotike, që vinin nga Panamaja, nëpërmjet Gjermanisë, me destionacion Athinën.
Kokaina ishte e fshehur në pjesë motorike për anije. Ndërkohë, i arrestuari është çuar në Prokurori, ku po merret në pyetje nga hetuesit e çështjes.