Në prag të seancës plenare për ndryshimet kushtetuese, lideri i VMRO – DPMNE-së, Hristijan Mickoski ka mbajtur sot koordinim me grupin parlamentar dhe koalicionin, njofton KlanM.
Pas mbledhjes, koordinatori i grupit parlamentar, Nikolla Micevski tha se mbeten në qëndrimin e njëjtë se, nuk do të mbështesim ndryshimet kushtetuese në këtë format, nën diktatin bullgar, siç u shpreh ai.
Sipas tij, ky proces nuk e ka as mbështetjen e qytetarëve.
“Qëndrimi ynë është thënë edhe në Komisionin për çështje kushtetuese, ku kemi thënë me argumente se, pushteti po ecë përpara një proces që nuk mbështetet nga qytetarët. Të njëjtën do ta përsërisim edhe në seancën plenare. Kjo seancë do të jetë mundësi e mirë që të bindet i gjithë opinioni se, pushteti gënjen një vit të plotë, manipulon dhe gjithçka është mjegull rreth ndryshimeve kushtetuese dhe se, nuk janë as afër ndryshimeve kushtetuese”.
Ndërkohë, nga LSDM-ja, siç njofton KlanM, presin nga të gjithë 120 deputetët të vihen në krye të detyrës dhe të kuptojnë përgjegjësinë që e kanë para qytetarëve.
“Ky është shansi i fundit për Mickoskin që të kyçet në bllokun proevropian. Mickoski dhe DPMNE e kanë ndoshta shansin e fundit të tregojnë ndjesi të përgjegjësisë para qytetarëve sepse, obligimi ynë si politikan është që t’u sigurojmë ardhmëri të sigurt qytetarëve, sikurse paraardhësit tanë që kanë mundësuar kushte që të jetojmë në shtet të lirë të pavarur dhe sovran, ashtu edhe opozita të bashkangjitet dhe të krijojmë bashkërisht një Maqedoni prosperuese në të cilën gjeneratat e ardhshme do ta planifikojnë ardhmërinë në shtëpi”.
Edhe përkundër faktit që opozita maqedonase vazhdon të kundërshtojë procesin e ndryshimeve kushtetuese, pushteti është optimist se ndryshimet do të miratohen. Në rast se kjo nuk ndodh, nga Qeveria kanë paralajmëruar, se vendi mund të futet në izolim.