Tenori me famë botërore, Saimir Pirgu, është nderuar sot nga Bashkia e Tiranës me simbolin “Çelësi i Qytetit”. Ai është pritur në një takim të veçantë nga kryetari i Bashkisë së Tiranës Erion Veliaj, i cili i ka dorëzuar edhe simbolin e qytetit, në shenjë mirënjohje për kontributin që artisti me famë botërore ka dhënë në promovimin e vlerave tona kombëtare dhe në mënyrë të veçantë për përzgjedhjen e Tiranës si një nga stacionet e turit të tij botëror, i cili kalon përmes qyteteve më të mëdha të artit dhe kulturës në botë: Tokio, Firence, Moskë, Vienë, Berlin, Paris dhe Nju Jork. Ai shoqërohej në këtë takim edhe nga drejtori i Teatrit Kombëtar të Operas dhe Baletit, Ilir Kerni.
Gjatë ceremonisë kryebashkiaku Veliaj falenderoi artistin për koncertin e shumëpritur që do të mbaj ditën e shtunë në Tiranë, pas suksesit në kryeqytetet e kulturës botërore, me albumin “Il mio Canto”, ndërsa theksoi se Pirgu është kthyer në krenari për kombin shqiptar. “Nuk besoj se ka kompliment më të madh apo Çelës Qyteti që kompenson aspiratën e një fëmije që shikon një histori suksesi të realizuar me shumë punë, pa njohje, farefis, politikë, por me zërin dhe përkushtimin maksimal”, tha Veliaj.
Duke vlerësuar jo vetëm talentin dhe shpirtin e tij artistik, por edhe ndjenjën për të mos harruar nga ardhur, kreu i Bashkisë së Tiranës theksoi se me thjeshtësinë dhe arritjet e tij, tenori Sajmir Pirgu është kthyer në një frymëzim të madh për ata të rinj që besojnë se kushdo mund të ecë në jetë falë talentit dhe aftësive. “E ndiej veten ‘shërbëtor’ të kësaj kauze sepse kemi kuptuar që në Bashkinë e Tiranës nuk mjaftojnë vetëm llaç e tulla, asfalt e ndriçim, por duhet edhe një ndriçim për shpirtin tonë dhe një shtrim rrugësh në mendjen e secilit prej nesh, se çfarë quhet progres, modernizim, çfarë na frymëzon, dhe për të kuptuar se ka shumë gjëra që na bashkojnë se ato që na ndajnë. Besoj se për ata që do të ndjekin koncertin do jetë një kujtesë e Shqipërisë së mirë, të bukur, frymëzuese që ti përfaqëson”, u shpreh Veliaj.
Ndërkohë, tenori Pirgu shpreh kënaqësinë për vlerësimin me simbolin e qytetit, ndërsa theksoi mbështetjen që ka gjetur nga Bashkia e Tiranës për organizimin e këtij koncerti. “Përveç faktit të Çelësit të Tiranës, jam tepër i emocionuar për marrjen e këtij titulli. Do të doja të falenderoj Bashkinë e Tiranës, TOB-in, që mundësuan ardhjen time në Tiranë, jo sepse unë nuk do të kisha mundësi të vija, por ishte shumë e vështirë që në një kohë kaq të shkurtër në axhendën time të futej edhe një koncert i këtyre përmasave. Bashkëpunimi i të dy palëve, sidomos i bashkisë, ndihmoi që kjo gjë të realizohej në kohë rrufe. Di vetëm që nga zyra ime e punës në Londër mbetën pa fjalë nga i gjithë organizimi që keni mundësuar për mua”, u shpreh Sajmir Pirgu.
Saimir Pirgu i lindur në qytetin e Elbasanit, në moshë shumë të re nisi mësimet e muzikës, duke u diplomuar si violinist kur ishte vetëm 16 vjeç. Në moshën 21 vjeçare diplomohet për kanto në konservatorin “Claudio Monteverdi” të Bolzanos, nën drejtimin e Vito Maria Brunetti-t. Ende 22 vjeçar, ai zbulohet dhe zgjidhet nga Claudio Abbado për të interpretuar rolin e Ferrando-s në “Cosi fan tutte” në Ferrara dhe, në verën e vitit 2004, në Festivalin e Salzburgut me Philippe Jordan, duke u bërë kështu debutuesi më i ri i një roli kryesor në historinë e këtij Festivali. Menjëherë pas këtyre dy ngjarjeve të rëndësishme artistike, nis një bashkëpunim i rëndësishëm me Operën Shtetërore të Vjenës, ku përveç të tjerash, shquhet interpretimi i tij në “Elisir d’Amore”, i cili nderohet me një nga çmimet më të lakmuar në botën e lirikës “Eberhard WAECHTER Gesangsmedaille”, që u jepet të rinjve me karrierë premtuese.
Më pas nis debutimi në role të rëndësishme që e çojnë artistin e ri të bashkëpunojë rregullisht me teatrot më të mëdha të operës në mbarë botën, nën drejtimin e dirigjentëve më të rëndësishëm të saj. Në vitin 2008, i zgjedhur nga vetë Woody Allen për operën e parë të vënë në skenë prej tij, ai do të interpretonte rolin e Rinuçio-s te “Gianni Schicchi” i Puçinit, në Los Angeles Opera. Në vitin 2009 ai u përzgjodh për tu nderuar me Çmimin “Franco Corelli” nga “Teatro delle Muse” i Ankones për interpretimin e rolit të Alfredos në “La Traviata” të Verdit. Në shtator të vitit 2013 Saimir Pirgut iu dha çmimi prestigjioz “Pavaroti D’Oro” (Pavaroti i Artë).