Një set fotografik me barkun jashtë në xhaminë më të madhe të Ankarasë, “Kocatepe”, i ka kushtuar shtrenjtë një modeleje dhe fotografit të njohur turk Bilal Kisa.
Fotot e modeles Ezgi Cebeci, të shkrepura nga Kisa kanë tërhequr kritika të ashpra nga opinioni publik në shtetin mysliman. Kryesisht modelja u sulmua nga llogaritë e nacionalistëve dhe islamikëve në rrjetet sociale, pasi fotografi ndau fotot e realizuara para dhe brenda xhami.
Modelja mbante një gjerdan me rruaza lutjeje islamike dhe një shami, ndërsa bluza e shkurtër i nxjerr në pah barkun, ndërsa nuk ka mbuluar as tatuazhet.
“U nis një hetim ex-officio për krimin e fyerjes publike të vlerave fetare të adoptuara nga një pjesë e publikut, për shkak të fotografive të bëra nga një regjisor i quajtur Bilal Kisa me një grua në xhaminë Kocatepe të Ankarasë dhe të publikuara në mediat sociale”, thuhej në një deklaratë të prokurorisë.
Kisa duke kërkuar falje tha se puna e tij kishte “devijuar nga qëllimi i saj“.
Ai këmbënguli se nuk kishte ndërmend të fyente Islamin apo muslimanët, por se dëshironte të sfidonte “paragjykimet e një grupi të caktuar njerëzish që ofendohen nga xhamia dhe të tregojnë se vendi ku do të gjejnë paqe është xhamia”.
“I kërkoj falje kujtdo që lëndova dhe për keqkuptimin që krijova”, shkroi ai./f.s