Një shpërthim i fuqishëm në një pikë karburanti në rajonin e Dagestanit, i ka marrë jetën të paktën 27 personave, mes të cilëve edhe 3 fëmijë.
Shpërthimi ndodhi në orën 21:40 me atë lokale, në kryeqytetin Makhachkala të rajonit që ndodhet në Rusinë jugore, në bregun e Detit Kaspik.
Zjarri u përhap në një sipërfaqe prej 600 metrash katrorë dhe ekzistonte rreziku i shpërthimeve të mëtejshme.
Dhjetëra persona të tjerë kanë mbetur të plagosur nga ngjarja dhe pamjet nga vendngjarja tregojnë një zjarr të madh që e bën natën – ditë, me një numër të lartë zjarrfikësesh në vendngjarje.
Rreth 260 punonjës të urgjencës janë vendosur në alarm për të pritur të plagosurit. Po ashtu sipas Ministrisë së Emergjencave, një avion është në dispozicion për të evakuuar të plagosurit rëndë drejt Moskës.
Agjencia ruse e lajmeve Interfax citoi mjekët të kenë thënë se tre fëmijë ishin në mesin e viktimave.
Një dëshmitar i paidentifikuar i cituar nga gazeta ruse Izvestia po ashtu tha se zjarri kishte nisur në një makinë përballë pikës së karburantit.
“Pas shpërthimit na ra gjithçka në kokë. Ne nuk pamë më asgjë”, tha dëshmitari.
Komiteti Hetues i Rusisë konfirmoi gjithashtu se zjarri kishte shpërthyer gjatë disa punëve të mirëmbajtjes së makinës, por një çështje penale është hapur për të përcaktuar arsyet e plota që çuan drejt incidentit.
/a.r