Një incident në ajër është shënuar mbi hapësirën ajrore të NATO-s. Forcat Ajrore të Holandës kanë njoftuar se forcat ajrore daneze kanë konstatuar dy avionë bombardues rusë që fluturonin mbi Danimarkë dhe përmes Detit të Veriut po shkonin drejt hapësirës ajrore të monitoruar nga Amsterdami zyrtar në emër të NATO-s.
Dy bombardues strategjikë rusë Tupolev Tu-95 u panë duke fluturuar mbi rajonin Baltik, me sa duket drejt hapësirës ajrore holandeze të hënën në mëngjes.
Holanda ka ngritur menjëherë në ajër dy F-16 të Forcave Ajrore si pjesë e të ashtuquajturit Alert për Reagim të Shpejtë (QRA), përmes të cilit avionët luftarakë janë në gatishmëri 24/7 për t’iu përgjigjur shkeljeve të hapësirës ajrore të NATO-s.
QRA në thelb tregon aftësinë e NATO-s për t’iu përgjigjur shpejt kërcënimeve të mundshme si një parandalues kundër veprimeve armiqësore.
“QRA u aktivizua në orën 07:19 të mëngjesit të sotëm. Kjo nuk ndodh shpesh, por incidenti i sotëm tregon rëndësinë e ndërhyrjes së shpejtë. F-16 janë në gatishmëri 24 orëshe dhe mund të ngrihen dhe të kapin një avion të paidentifikuar brenda pak minutash”, konfirmoi të hënën Klu holandeze.
Fillimisht, paralajmërimi përmendte një avion të vetëm, por më vonë u sqarua se në ajër po lëviznin dy Tupolev Tu-95. Avionët rusë, të referuar si “Arinjtë” në terminologjinë e NATO-s, u konstatuan fillimisht nga forcat ajrore daneze.
Pasi u përballën me avionët danezë, bombarduesit rusë u kthyen pas, para se të kalonin zyrtarisht në territorin holandez.
Ndërkohë, avionët e Aleancës janë ulur sërish në bazën ajrore Volkel.
Mediat i janë drejtuar ministrisë daneze të Mbrojtjes për të komentuar incidentin, por ende nuk ka një reagim zyrtar nga Kopenhageni.
/a.r