Mbi 32 mijë pushues e turistë kanë marrë shërbime cilësore, nga personel i kualifikuar, në qendrat shëndetësore verore gjatë këtij sezoni.
Lajmi u bë i ditur nga ministrja e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale, Ogerta Manastirliu.
“Mirënjohje për ekipet mjekësore në 30 qendrat shëndetësore verore të hapura enkas në zonat malore dhe ato bregdetare, për pushuesit vendas dhe të huaj”, tha Manastirliu në një postim në rrjetet sociale
Në të gjithë vendin janë 30 qendra shëndetësore verore që ofrojnë shërbime, vizita, konsulta, mjekime, me përforcim të personelit shëndetësor, me stafe të cilat trajnohen në vazhdimësi, për të menaxhuar rastet urgjente, e po ashtu përforcim me barna dhe materiale mjekësore.
Urgjenca Kombëtare është po ashtu në gatishmëri të plotë për t’iu përgjigjur të gjitha thirrjeve për ndihmë mjekësore në numrin unik 127.
/a.r