Ylli i futbollit Cristiano Ronaldo ka bërë historinë në Instagram, duke u bërë personi i parë që arrin 600 milionë ndjekës në platformën e Meta-s. Rekordi historik vjen vetëm disa muaj pasi portugezi arriti pikën e 500 milionë ndjekësve, në nëntor 2022, në atë kohë një rekord më vete.
Padyshim një prej futbollistëve më të mirë të historisë, për shumë më i miri, Ronaldo është mjaft aktiv në rrjetet sociale, sidomos në Instagram, teksa ka fituar më shumë se 150 milionë ndjekës që nga maji i kaluar, ndërsa transferimi i tij në Arabinë Saudite e ka ndihmuar që t’i prezantohet një tregu të ri.
Portugezi, nga ana tjetër, llogaritet të ketë një pasuri prej 500 milionë dollarësh, duke e bërë atë një nga sportistët më të pasur dhe më të suksesshëm në botë, jo vetëm falë fitimeve në futboll, por edhe nga kontratat e majme që ka, të cilat i vijnë edhe falë ndjekësve që ka në rrjetet sociale.
Këtë vit, për herë të parë që nga 2017, ai kryesoi edhe listën e “Forbes”, të sportistëve më të paguar në botë, duke fituar edhe një titull të Rekordeve Botërore Guinness për fitimet më të larta vjetore për një atlet në 2023. Pra rekord pas rekordi për Ronaldo-n, edhe jashtë fushës së blertë/
Sa i takon atyre që renditen poshtë tij për numrine ndjekësve, futbollisti argjentinas fitues i Kupës së Botës, Lionel Messi, “rivali” më i madh i portugezit. është në vendin e dytë me më shumë se 482 milionë. Ndërkohë, këngëtarja dhe aktorja amerikane Selena Gomez është në vendin e tretë me 427 milionë ndjekës, në Instagram.
Kylie Jenner, Dwayne “The Rock” Johnson, Ariana Grande, Beyonce, Khloe Kardashian, Justin Bieber janë të famshmit e tjerë në listën e 10 personave më të ndjekur në Instagram.