Andrea Kalemi, 51-vjeç u plagos me armë zjarri në Greqi teksa ndodhej me pushime. Dyshimet, edhe siç raportojnë mediat greke, janë që kjo ngjarje të vijë si pasojë e larjeve të hesapeve.
Kalemi, i cili njihet edhe me emrin Adriatik Kalemi, ka një dosje të mbushur në policinë shqiptare. Kjo fillon që në vitin 2001.
Asokohe ai u arrestua nga forcat speciale RENEA pasi ishte shpallur në kërkim nga autoritetet belge. Kalemi akuzohej se në bashkëpunim me vëllain e tij, Fatmirin, kishte vrarë vëllezërit shqiptarë Mevlan dhe Adriatik Çaça. Kjo ngjarje e rëndë ka ndodhur në Anderleht më 13 Prill 2001.
Pas 16 vitesh, në 2017-ën ai u arrestua sërish. Së bashku me 2 persona të tjerë, duke qenë të dehur, kundërshtuan punonjësin e policisë. Një person i katër që ishte me ta goditi me shufër hekuri në kokë policin.
5 vite më vonë, atij i ekzekutuan djalin e hallës, Aleksandër Sadikajn. Atentati ndodhi pranë rrethrrotullimit të TEG-ut, ndërsa për vrasjen e Sadikaj u përdor shpërthimi me eksploziv.
Disa muaj më vonë, në Tiranë u ekzekutua biznesmeni Edmond Papa. Kjo vrasje ndodhi si shenjë hakmarrjeje për vrasjen e Sadikajt. Për vrasjen e Papës dyshohet se kanë marrë pjesë dy shokët e Andrea Kalemit. Albano Velo u arrestua, ndërsa tjetri, Andrea Bode është shpallur në kërkim.
Prokuroria ka dalë në rezultatin se Andrea Kalemi ka lidhje të ngushta shoqërore me Velon dhe Boden. Ata kanë pasur dyshime të vazhdueshme se vrasja e të riut Sadikaj u organizua në Sarandë, pikërisht në hotelin e Edmond Papës.
Andrea Kalemi rezulton që të jetë edhe pronar i disa kompanive të ndryshme që merren me tregti mallrash industriale, ushqimore, bujqësore dhe blegtorale.
Në emër të tij janë edhe një bar bufe, restorant, pika servisi, parkim automjetesh, lavazh, hotele, agjenci të pasurive të patundshme, agjenci transporti dhe mallrash brenda dhe jashtë vendit si dhe aktivitete të ndërtimit. Ai ka edhe një kompani pastrim gjelbërimi. Në vendlindjen e tij, në Memaliaj, Kalemi rezulton të ketë një bujtinë.
/a.r