Ministri i Brendshëm Taulant Balla ka përshëndetur aksionet e fundit të Policisë së Shtetit dhe Agjencicë së Mbikqyrjes Policore kundër fenomenit të armëmbajtjes pa leje, duke e cilësuar atë si një “karshillëk ndaj ligjit”, që do të goditet me vendosmëri përditë e më tepër.
Përmes një mesazhi në rrjetet sociale ministri Balla ka kërkuar mirëkuptimin dhe bashkëpunimin e qytetarëve në këtë proces, përgjatë kontrolleve që ushtrohen nga forcat e policisë.
“Armëmbajtja pa leje po goditet çdo ditë. Do të bëjmë gjithçka, me më shumë angazhim sesa më parë, që ky karshillëk i hapur ndaj ligjit dhe shoqërisë sonë të luftohet nga Policia e Shtetit me vendosmëri, çdo ditë.
Në të gjithë territorin e vendit, Policia e Shtetit po organizon dhe realizon goditje të përditshme ndaj këtij fenomeni.
Ndalimi gjatë natës së mbrëmshme i një oficeri të Gardës së Republikës, për armëmbajtje pa leje, tashmë i arrestuar dhe i përjashtuar menjëherë nga radhët e Gardës, konfirmon qartë angazhimin se në rrjetën e forcës së ligjit do të bien të gjithë shkelësit.
Gjithashtu gjatë operacioneve kundër armëmbajtjes pa leje Policia e Shtetit ka arritur të parandalojë në kohën e duhur një ngjarje të rëndë kriminale. Jam i sigurtë se kam mbështetjen e qytetarëve në goditjen e këtij fenomeni, por kërkoj gjithashtu edhe mirëkuptimin dhe bashkëpunimin tuaj, të dashur qytetarë, përgjatë kontrolleve të policisë, të cilat do të jenë të shpeshta”, shkruan ministri Balla.
/a.r